Në projektbuxhetin e vitit 2026, përveç indeksimit automatik të pagave të administratës publike me 2.5%, në përputhje me nivelin e inflacionit, në sektorët e shëndetësisë dhe policisë do të nisë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë, bëri të ditur kryeministri Edi Rama.

Nga rritja e pagës minimale që hyn në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm, do të përfitojnë 10.600 punonjës shërbimi, ndërsa kreu i qeverisë bëri publike edhe përfitimet për çdo kategori.

“Fillimi i praktikës së indeksimit vjetor edhe për pagat e punonjësve të sektorit publik, qoftë nivel qendror apo vendor, të cilit do të korrektohen çdo vit në bazë të inflacionit.

Kjo është një praktikë e re pagash që kombinuar me rritjen e përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës minimale për të gjithë i shton gati 100 mln euro qysh në vitin e parë 2026, shumës që mandati i 4 do të vërë në dispozicion të rritjes së fuqisë blerësve të të gjitha kategorive shoqërore.

Konkretisht 10.600 punonjës shërbimi, do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj. Për specialistët e administratës publike rritja do të jetë 5 mijë lekë të reja.

Mësuesit do të ofertojnë 3 mijë lekë të reja më shumë.

Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë dhe llogaritja e vjetërsisë në punë. Si mesatare për mjekët e përgjithshëm, nga 131 700 lekë në 143 500 lekë të reja në muaj.

Për mjekët në spitale nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë të të reja në muaj. Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92 500 lekë në muaj. Po ashtu dhe për punonjësit e policisë, përveç indeksimit do të ketë rritje për vjetërsinë në punë. Për gradat më të ulëta përkthehet në rritje mesatare me 5 mijë lek të reja në muaj.

Për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vite, sipas gradave, për inspektorët e thjeshtë nga 80500 në 84500 lekë të reja plus shtesa që e çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja. Për nënkomisarët nga 95500 në 101 mijë lekë të reja, plus shtesa shkon në 116 mijë lekë të reja. Për komisarët nga 105 000 mijë në 110 600 mijë shkon në 125 600 lekë të reja”, deklaroi Rama./Monitor