Rina Balaj ka zgjedhur të flasë hapur për një nga personat më të rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik, Feron. E ftuar në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, këngëtarja ka rrëfyer se çfarë i lidh sot, pas viteve të para të famës, bashkëpunimeve të suksesshme dhe ndryshimeve në jetën personale të secilit.

Edhe pse koha ka bërë të vetën dhe të dy kanë ndjekur rrugë të ndryshme. si në karrierë, ashtu edhe në jetën private, Rina thekson se mes tyre ka mbetur gjithmonë një raport respekti dhe afërsie njerëzore.

“Unë me Feron mund të them lirisht se jemi rritur bashkë. Kemi qenë shumë të rinj kur kemi filluar të punojmë,” – tregon ajo, duke kujtuar vitet kur bashkëpunimet e tyre u kthyen në hite dhe i prezantuan si një nga dyshet më të komentuara të skenës.

Ajo ndalet veçanërisht te mënyra si Fero është sjellë me të dhe me rrethin e saj shoqëror:
“Me mua ka qenë gjithmonë shumë i sjellshëm, dhe jo vetëm me mua, por edhe me shoqërinë time që janë krejt vajza,” –thotë Rina.

Rina e përkufizon raportin me Feron si një lidhje që ka kaluar kufijtë e bashkëpunimit profesional. Ajo tregon se mes tyre ka pasur gjithmonë mbështetje dhe komunikim, pavarësisht se nuk kanë qenë kurrë në të njëjtin label.

“Shumë shpesh kemi marrë këshilla nga njëri-tjetri gjatë këtyre viteve. Edhe pse nuk kemi qenë në të njëjtin label, kemi vazhduar të ruajmë një raport shumë të mirë. Unë Feron e shoh si vëllan tim, si Rigonin” .

I pamundur për t’u anashkaluar në bisedë ishte edhe procesi gjyqësor që po zhvillohet ndaj Feros, i akuzuar nga ish-bashkëshortja Arbenita Ismajli për dhunë në familje. Përballë një teme kaq të ndjeshme, Rina zgjedh të jetë e kujdesshme: ajo nuk mban anë dhe nuk komenton mbi diçka që thotë se nuk e ka parë me sytë e saj.

“Nuk mund të gjykoj për diçka që nuk e kam parë vetë,” –thotë ajo.