
Modelja dhe influencerja shqiptare Kleofina ka zgjedhur të ndajë një nga kapitujt më personalë të jetës së saj: historinë e dashurisë me futbollistin francez Benjamin Pavard dhe rrugën jo të lehtë për ta prezantuar këtë marrëdhënie në familje.
E ftuar në emisionin “Mirëmbrëma yje”, ajo tregoi se, për muaj të tërë, lidhja e saj me lojtarin ndërkombëtar ishte një sekret i ruajtur me kujdes, sidomos nga babai.
“E kisha të pamundur ta imagjinoja veten përballë babait duke i thënë se po dilja me një francez,” – rrëfeu ajo.
Për një kohë të gjatë, i vetmi njeri në familje që dinte gjithçka ishte vëllai i saj. Ai mori përsipër rolin e ndërmjetësit mes Kleofinës dhe babait, duke qenë ura e parë mes realitetit të ri dhe mentalitetit tradicional.
“Ne ishim në pushime në Greqi kur vëllai ia tha babait,” – kujton ajo.
Reagimi i tij? Në pamje të parë, asnjë.
“Ai u soll sikur nuk e kishte dëgjuar fare këtë lajm. E vazhdoi ditën krejt normalisht,” – tregon modelja, një detaj që flet shumë.
Por koha bëri të vetën. Lidhja nuk ishte një kapriço verore, as një histori e shkurtër rrjetesh sociale.
“Kaluan gjashtë muaj dhe unë ende isha e dashuruar me Benjaminin. Vëllai im shkoi edhe një herë dhe ia tha babait, më qartë këtë herë,” – thotë Kleofina.
Këtë herë, nuk mjaftonin më fjalët. Duhej një gjest.
Pikën e kthesës në këtë histori e sjell vetë Benjamin Pavard. Kleofina rrëfen një episod që do të dukej si skenar filmi sikur të mos ishte kaq real:
“Benjamin udhëtoi nga Milano në jug të Francës vetëm për të takuar babain tim. Qëndroi tre ditë atje duke pritur, sepse babai im nuk pranonte të dilte ta takonte,” –tregon ajo.
Kjo këmbëngulje, kjo pritje e gjatë, duket se ka qenë çelësi.
“Takimi përfundoi më mirë sesa e kisha imagjinuar,” –shton Kleofina, pa zbuluar detaje, por duke lënë të kuptohet se ajo çfarë dukej e pamundur në fillim, u shndërrua në një moment pranimi.
