Marrëdhënia e acaruar mes Stresit dhe Jozefin Markut (Jozit) duket se ka marrë një kthesë të papritur.

Jozi ka publikuar në Instagram një foto nga një drekë ku shihet në shoqërinë e të atit, disa miqve dhe mes tyre edhe Sali Lushajt, babait të Stresit.

Kjo drekë vjen pas muajsh përplasje të forta, deklaratash publike dhe tensioni mes dy tyre, sidomos pas daljes së Jozit nga “Big Brother VIP Albania”.

Në mbishkrimin e fotove, Jozi e ka quajtur takimin një “drekë të veçantë mes miqve të përbashkët”, duke vendosur theksin te atmosfera e qetë dhe respekti i ndërsjellë.

Duke iu referuar Stresit, ai ka shtuar:
“Nuk kam asgjë të keqe me Stresin. Ai ka angazhimet e veta, unë të miat, por gëzojmë respekt për njëri-tjetrin dhe për familjet. I urojmë çdo të mirë kudo në jetë.”

Ky mesazh vjen pasi marrëdhënia e tyre ka kaluar në disa “stacione” tensioni. Në një moment, një video ku ata shiheshin pranë njëri-tjetrit dhe ku Jozi i kërkonte Stresit ta puthte u mor si shenjë afrimi dhe pajtimi. Por kjo u rrëzua shpejt, pasi më vonë vetë Jozi deklaroi në një intervistë se ajo puthje “nuk ishte miqësore” dhe se nuk ishte mirë të “gabonte” me të, gjë që shkaktoi reagimin e fortë të Stresit.

Në këtë kontekst, takimi i fundit i Jozit me Sali Lushajn nuk shihet thjesht si një drekë e rastësishme, por si një lloj sinjali paqeje.