Modelja shqiptare Kleofina ka treguar për herë të parë prapaskenat e romancës së saj me futbollistin francez Benjamin Pavard, me të cilin u martua në korrik të këtij viti, pasi lojtari i propozoi për martesë në bregdetin e Sarandës.

E ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, ajo ka rrëfyer momentin kur Pavard mori bekimin e babait të saj, një pikë kthese në historinë e tyre të dashurisë, dhe më pas, skenën e propozimit romantik në jug të Shqipërisë.

Kleofina tregoi se propozimi për martesë ka ardhur vetëm një muaj pasi futbollisti francez ishte takuar me babain e saj, ndërsa ky i fundit i kishte dhënë miratimin për të vazhduar lidhjen.

“Propozimi për martesë ka ndodhur 1 muaj pas takimit me babin. Ishim në Sarandë, një ditë para ditëlindjes sime. Ishte shumë bukur, vetëm ne të dy në plazh, vëllai, motra dhe shoqëria që erdhën në Shqipëri për ditëlindjen time ishin spektatorë.

Edhe pse e ndjen që po vjen ai moment, emocioni është i njëjtë. Nuk mundesh të paralajmërosh trurin se si do të ndihesh kur një person të propozon të kalosh jetën me të, kam qarë, një emocion shumë i bukur”, rrëfeu ajo.

Në rrëfimin e saj, Kleofina nuk fsheh faktin se miratimi i babait ka qenë vendimtar për vazhdimin e kësaj lidhjeje, pavarësisht dashurisë që kishte për Benjaminin.

Ajo thekson se, nëse babai i saj nuk do të ishte dakord, do të kishte marrë vendimin e vështirë për t’u ndarë nga futbollisti francez.

“Momenti më i bukur ishte fakti që babai im e donte personin që po merrja, po më jepte një bekim të sinqertë dhe jo thjesht të më bënte qejfin.

Ishte shumë e rëndësishme, s’më duhet jeta nëse nuk janë të kënaqur me vendimet e mia. Nëse s’do kishte pranuar, do ishte ndarë, edhe pse e dua. Babi është shumë i rëndësishëm për mua”, u shpreh Kleofina.

Në intervistë, modelja shqiptare zbuloi edhe detaje nga dasma luksoze, që u kthye në një festë tre-ditore me rreth 190 të ftuar, shumica shqiptarë.

Ajo rrëfeu se vendi i dasmës është vendosur vetëm tre muaj përpara, në Malfy, ndërsa shtoi se shpenzimet e ceremonisë, që kanë arritur në 1 milionë euro, janë paguar nga Benjamin Pavard.

“3 muaj para dasmës e vendosëm vendin në Malfy, kishim 190 persona të ftuar, shumë shqiptarë dhe shumë më pak francezë. Unë kam fluturuar në dasmën time, është diçka që dua ta rijetoj me të njëjtin person, ndjenjë shumë e mirë. Kërcen valle, e do shumë muzikën shqiptare. Kam pasur 6 fustane, për 3 ditë”, tregoi modelja në “Mirëmbrëma Yje”.