
Katy Perry duket se ka hapur një kapitull shumë personal me këngën e saj më të re, “Bandaids”, ku këndon për përpjekjen për të shpëtuar një marrëdhënie që po shuhet.
41-vjeçarja është ndarë nga aktori Orlando Bloom në qershor, pas gati një dekade së bashku. Të enjten, ajo publikoi këngën dhe videoklipin, dhe si teksti, ashtu edhe pamjet, duken si një pasqyrim i fundit të lidhjes së tyre.
“Me dorën në zemër, betohem se u përpoqa / Nuk lashë gur pa lëvizur,” këndon Perry. “Nuk është çfarë bëre / por çfarë nuk bëre / Ishe aty, por s’ishe.”
Në një tjetër varg, ajo pranon zhgënjimin dhe lodhjen emocionale:
“U mësova aq shumë me faktin që më zhgënjeje / S’ka më kuptim të dërgosh lule tani.
I thosha vetes se do ndryshosh, por ti s’ndryshon / Fashëza mbi një zemër të thyer.”
Në vargun e dytë, teksti lë të kuptohet për hapat që ajo ka ndërmarrë për të mbajtur lidhjen gjallë:
“Provova çdo ‘ilaç’ / Ulja pritshmëritë e mia.
Gjeja justifikime pafund / duke u ‘gjakosur’ ngadalë.”
Më tej, ajo i referohet mungesës së përpjekjes nga partneri:
“Nuk është kaq e komplikuar / të më pyesësh si kaloi dita.
Unë jam në vijën e fundit të jetës duke u munduar ta shpëtoj këtë.”
Videoklipi e thellon më shumë këtë metaforë. Në një nga skenat, Katy shfaqet në kuzhinë, duke larë enët, dhe ndërkohë i bie unaza në lavaman. Ajo fut dorën për ta nxjerrë, por ndez pa dashje grirësen dhe duart i mbulohen me gjak një imazh i fortë simbolik për dhimbjen dhe dëmtimin emocional që vjen kur përpiqesh të mbash me zor një marrëdhënie.
Ky detaj nuk është i rastësishëm: në shtator 2024, Katy Perry kishte treguar me humor në një podkast se e “shpërblente” partnerin e saj kur ai bënte punët e shtëpisë, sidomos kur lante enët një element që fansat e kanë lidhur menjëherë me videoklipin e “Bandaids”.
Megjithëse kënga flet për lëndim dhe zhgënjim, në fund mesazhi nuk është i hidhur. Perry pranon se, edhe pse marrëdhënia ka marrë fund, ajo nuk është e penduar:
“Nëse do të më duhej ta kaloja edhe njëherë / prapë do ta kaloja po njësoj.
Dashuria që bëmë ia ka vlejtur në fund.”
Edhe pse nuk përmend askund Orlando Bloom me emër, videoklipi jep disa të dhëna të qarta. Në një moment, ajo sheh një margaritar (daisy) një referencë e drejtpërdrejtë ndaj vajzës së saj 5-vjeçare, Daisy, që ka me Bloom.
