Aksionarët e Teslës kanë miratuar një paketë pagese rekord për Elon Musk, e cila mund të arrijë gati 1 trilion dollarë, nëse përmbushen të gjitha kushtet. Paketa, e cilësuar si e paprecedentë, u votua me rreth 75% të mbështetjes dhe u prit me duartrokitje të forta gjatë mbledhjes vjetore të kompanisë, të enjten.

Musk, që tashmë mban titullin e njeriut më të pasur në botë, duhet të rrisë në mënyrë drastike vlerën e tregut të prodhuesit të makinave elektrike gjatë 10 viteve të ardhshme. Nëse arrin objektivat e vendosura, ai do të shpërblehet me qindra miliona aksione të reja. Shuma potenciale e kësaj pagese ka shkaktuar kritika të shumta, por bordi i Teslës ka argumentuar se rreziku më i madh do të ishte largimi i Musk nga kompania, një humbje që sipas tyre, Tesla “nuk mund ta përballojë”.

Pas miratimit, Musk u ngjit në skenë në Austin të Teksasit, ku festoi mes thirrjeve me emrin e tij.

“Ajo që do të nisim nuk është thjesht një kapitull i ri i së ardhmes së Teslës, por një libër krejt i ri. Mbledhjet e tjera të aksionarëve janë të qeta, por mbledhjet tona janë të çmendura. Shikojeni këtë. Kjo është e pabesueshme,” – u shpreh ai.

Për të marrë maksimumin nga kjo paketë shpërblimi, Musk duhet të çojë vlerën e tregut të Teslës në rreth 8.5 trilionë dollarë, nga rreth 1.4 trilionë që është aktualisht. Një tjetër objektiv madhor është nxjerrja në funksion komercial e 1 milion automjeteve Robotaxi me drejtim plotësisht autonom.

Megjithatë, në daljen e tij të parë publike pas votimit, Musk zgjodhi të vendoste theksin te roboti humanoid Optimus, duke zhgënjyer disa analistë dhe vëzhgues të Teslës që prisnin më shumë fokus te ringjallja e biznesit kryesor të kompanisë: makinat elektrike.