
Tesla ka hedhur një tjetër hap drejt së ardhmes: roboti humanoid Optimus është prezantuar zyrtarisht në panairin prestigjoz China International Import Expo (CIIE), në Shangai, ku kompania shfaqi vizionin e saj për robotikën.
Gjatë aktivitetit, përveç Optimus, Tesla prezantoi edhe Cybercab, automjetin futurist me dy vende, duke konfirmuar edhe një herë ambicien për të qenë në pararojë të automatizimit dhe transportit autonom.
Roboti humanoid me dy këmbë, ende në fazë zhvillimi, nuk ka dalë ende në treg, por Elon Musk po e trajton si një nga projektet më të rëndësishme në historinë e Teslës.
Gjatë mbledhjes vjetore të aksionarëve, Musk deklaroi se Optimus mund të luajë rol kyç në uljen e varfërisë dhe kriminalitetit, duke ndryshuar mënyrën se si punojmë dhe jetojmë:
“Optimus ka potencialin të jetë produkti më i madh i të gjitha kohërave,” – u shpreh ai.
Sipas tij, këta robotë në të ardhmen mund të punojnë në fabrika, të kryejnë detyra fizike të rënda, por edhe të kryejnë punë delikate, si kujdesi për fëmijët apo asistenca në shtëpi.
Të enjten, Musk e çoi edhe më tej entuziazmin, duke thënë se: “Optimus do të jetë një kirurg i jashtëzakonshëm.”
Ai shtoi se kombinimi i robotëve si Optimus dhe teknologjisë së drejtimit autonom mund të çojë në:“një botë pa varfëri, ku të gjithë kanë akses në kujdesin më të mirë mjekësor”.
Musk njoftoi gjithashtu se Tesla planifikon të demonstrojë një version të ri të robotit, Optimus V3, në tremujorin e parë të vitit 2026, duke sugjeruar se zhvillimi po ecën me ritme të shpejta.
Ndërkohë, panairi CIIE në Shangai mbetet një nga skenat kryesore botërore për prezantimin e risive teknologjike. Prania e Optimus dhe Cybercab në këtë event tregon qartë ambicien e Teslës: të mos jetë thjesht prodhues makinash elektrike, por një nga aktorët kryesorë në dizajnimin e së ardhmes së automatizimit dhe inteligjencës artificiale në jetën e përditshme.
