Lionel Messi ka arritur gjëra që duken të pamundura në futboll. Ai ishte së fundmi i ftuar special në American Business Forum në Miami, ku u prit me ovacione në këmbë dhe foli hapur për disa momente kyçe të karrierës së tij, përfshirë edhe fitoren e Botërorit me Argjentinën.
Duke kujtuar triumfin në Kupën e Botës 2022, Messi nuk fshehu emocionet:
“Kur fituam Kupën e Botës, pata të njëjtin ndjenjë si kur lindën djemtë e mi. Është një ndjenjë shumë e vështirë për t’u shpjeguar, aq e veçantë dhe e madhe, sa çfarëdo që të them duket e pamjaftueshme,” – u shpreh ai, sipas Marca.
Për të, ai trofe nuk ishte thjesht fundi i një ëndrre sportive, por një kulm emocional që u rendit krah momenteve më intime të jetës familjare.
Gjatë fjalës së tij, Messi foli edhe për momentet e vështira në karrierë dhe mënyrën se si i ka përballuar:
“Kam kaluar situata të vështira, por kurrë nuk kam dyshuar. Nuk jam tërhequr mbrapa. Gjithmonë kam shkuar pas asaj që doja, pas ëndrrave të mia. Dhe vazhdojmë të ecim përpara si familje. Gjithmonë kam thënë që Zoti më ka dhënë një dhuratë.”
Ndërsa ende nuk ka konfirmuar nëse do të luajë në Kupën e Botës 2026 me Argjentinën, Messi e pranon se është i entuziazmuar për turneun që do të mbahet në SHBA:
“Kam pritshmëri shumë të mëdha dhe besoj se Botërori do të jetë i jashtëzakonshëm.”
