Tregu muzikor prej vitesh është në qendër të vëmendjes për shkak të tarifave të larta që këngëtarët kërkojnë për netët e tyre live, sidomos në klube, koncerte dhe mbrëmje të mëdha festive. Herë pas here është folur për çmime marramendëse, ulje-ngritje në karrierë dhe si pasojë, edhe në pagesa. Këtë herë, është një deklaratë e një menaxheri me eksperiencë, Xhani, ajo që ka trazuar sërish ujërat.

Në një intervistë për 'Zgjohu në MCN', ai ka zbuluar shifrën më të lartë të paguar ndonjëherë për një artist në një natë, si edhe mënyrën se si funksionon realisht tregu:

“Një artist është një herë në muaj në klub, pasi më shpesh konsumohet imazhi. Pagesa e artistëve është personale. Unë bëj marrëveshjen, por shifra është personale. Çfarë dalin janë manipulime. Ka artistë që marrin më shumë nga sa meritojnë. Ka artistë që nuk e meritojnë vlerën që marrin. Në klub zakonisht nuk përdoret live është më shumë playback. Për muajin e Ramazanit i përgjysmojmë shfaqjet dhe artistët e përgjysmojnë çmimin. Viti i ri dyfishon çmimet. Shifra më e lartë që kemi paguar ka qenë 60 mijë euro për një natë. Të gjithë artistët janë me deklarime dhe artistja i ka marrë në një natë. Në rast festash, klubi i nxjerr fitimet ndërsa kur futet dhe konkurrenca në mes është problem. E premtja dhe e shtuna është fokusi”, – u shpreh ai.

Deklarata për 60 mijë euro për një natë ka ndezur menjëherë kureshtjen: kujt i përket kjo shumë? Edhe pse Xhani nuk jep emër, të gjithë sytë kthehen nga emrat më të nxehtë të skenës.

Kujtojmë se gjatë sezonit veror që sapo lamë pas, Xhensila Myrtezaj është raportuar gjerësisht si këngëtarja më e kërkuar dhe një nga më të paguarat në treg. Ajo ka pasur një sezon tejet të ngarkuar me koncerte brenda dhe jashtë vendit.

Një tjetër emër që përmendet shpesh kur flitet për pagesa të larta është Dafina Zeqiri. Edhe pse gjatë sezonit veror të fundit nuk ishte tepër prezente, gjatë dimrit ajo ka pasur mjaft angazhime, me tarifa që, sipas raportimeve, kanë kapur vlera rreth 10 mijë euro për mbrëmje.

Përveç super-emrave, menaxheri u ndal edhe te artistët e rinj që po bëjnë shumë zhurmë në treg. Ai veçoi në mënyrë të veçantë Finemin, i cili është komentuar shumë së fundmi.

“Finem më ka surprizuar shumë, ku në një dalje publike, pati zhurmë shumë të madhe dhe një talent shumë i madh. Një zhurmë shumë e madhe, u surprizova për mirë. Sot nga artistët e rinj, Finemi është zhurma më e madhe. Edhe pse nuk e kam në menaxhim, por më ka surprizuar dhe ka punuar fort”, – u shpreh menaxheri.