
Në përditshmërinë tonë, termat psikopat dhe sociopat përdoren shpesh si sinonime. Megjithatë, psikologjia klinike dhe psikiatria i trajtojnë si dy profile të ndryshme të çrregullimit të personalitetit antisocial. Të kuptuarit e nuancave mes tyre është thelbësor për të dalluar sjelljet, motivimet dhe rreziqet që mbart secili tipar. Ja cilat janë shtatë dallimet më të rëndësishme.
1. Origjina: Lindur apo formuar?
Psikopati lidhet më shumë me faktorë gjenetikë dhe biologjikë. Sociopati shpesh është rezultat i traumave, abuzimeve apo mjediseve toksike gjatë fëmijërisë. Psikopati është më i rrënjosur në natyrë; sociopati në përvojë.
2. Emocionet
Psikopatët kanë mungesë pothuajse totale empatie dhe fajësie. Sociopatët mund të ndiejnë emocione, por ato janë të paqëndrueshme dhe shpesh të shtrembëruara nga zemërimi ose pasiguria.
3. Nderveprimi me të tjerët
Psikopatët janë të qetë, karizmatikë, manipulatorë të aftë, shpesh duken të sjellshëm dhe racionalë. Sociopatët shfaqin sjellje impulsive, të çrregullta dhe shpesh kanë vështirësi në krijimin e lidhjeve shoqërore.
4. Kontrolli i impulsit
Psikopatët planifikojnë me kujdes, veprojnë me llogari dhe ruajnë qetësinë edhe në situata të rrezikshme. Sociopatët reagojnë shpejt, shpërthejnë emocionalisht dhe marrin vendime të rrezikshme pa menduar pasojat.
5. Jeta sociale dhe imazhi personal
Psikopatët shumë shpesh duket se “integrohen” normalisht në shoqëri: profesionistë, liderë, figura të besueshme. Sociopatët kanë më pak aftësi për të maskuar sjelljen e tyre, ngatërrohen lehtësisht me ligjin dhe kanë marrëdhënie të paqëndrueshme.
6. Ndjeshmëria ndaj rregullave
Psikopatët i shkelin rregullat me llogari, shpesh në mënyra të padukshme. Sociopatët janë më rebelë dhe sfidojnë hapur autoritetin.
7. Rrezikshmëria
Të dyja tiparet paraqesin rrezik, por në forma të ndryshme: Psikopatët janë më të rrezikshëm për shkak të strategjisë, manipulimit dhe mungesës së emocioneve. Sociopatët rrezikojnë më shumë në shpërthime impulsive dhe dhunë të papritur.
Psikopati dhe sociopati nuk janë thjesht etiketa, ato janë dy mënyra të ndryshme të dëmtimit të empatisë dhe moralit njerëzor. Ndërsa psikopatët krijojnë fasadën perfekte për të manipuluar me qetësi, sociopatët luftojnë me emocionet e tyre dhe shpërthejnë ndaj botës.
Të kuptuarit e këtyre dallimeve na ndihmon të lexojmë më mirë sjelljet dhe të mbrojmë veten në marrëdhëniet personale, profesionale dhe sociale.
Photo by Anna Tarazevich: https://www.pexels.com/photo/scrabble-tiles-on-a-white-surface-5939110/
