Vitet e fundit kemi dëgjuar shpesh për raste dramatike, ku sportistë bien përtokë nga një arrest kardiak gjatë ndeshjes apo stërvitjes. U përjetuan me shumë dhimbje vdekjet e Davide Astorit, Piermario Morosinit, por edhe rastet e fundit të maratonistëve amatorë italianë Alberto Zordan dhe Anna Zilio, të cilët humbën jetën në gjumë, të goditur nga një gjendje e papritur, brenda pak javësh nga njëri-tjetri.

Këto histori kanë ngritur sërish pyetjen e njëjtë: si është e mundur që zemra e një personi aktiv, shpesh e kontrolluar, mund të ndalet në një çast, pa asnjë paralajmërim?

Çfarë është “vdekja e papritur nga sporti”?
Shkenca ka një përgjigje, edhe pse ajo mbetet e dhimbshme: pas këtyre ngjarjeve shpesh fshihet një gjendje që quhet vdekje e papritur nga sporti (MIS), një arrest i menjëhershëm kardiak që prek edhe njerëz që duken në formë të shkëlqyer.

Profesori Giuseppe Musumeci, drejtor i Kardiologjisë në Spitalin Mauriziano të Torinos, e shpjegon kështu:

“Vdekja e papritur nga sporti është një vdekje kardiake e menjëhershme që prek persona në dukje të shëndetshëm, pa sëmundje të njohura. Në shumicën dërrmuese të rasteve, ajo shkaktohet nga një arrest kardiak, pra nga një ndalim i papritur i rrahjeve të zemrës.”
Ajo mund të ndodhë:

-gjatë aktivitetit fizik,
-në gjumë,
-apo në pushim të plotë.
“E shohim më shpesh tek të rinjtë,” –shton ai, – “sepse tek pacientët e rritur ose të moshuar sëmundjet e zemrës zakonisht njihen, ndërsa tek të rinjtë dhe sportistët, defektet mbeten të fshehura deri në episodin fatal. Kjo është ajo që të trondit më shumë: vdes një person që dukej krejtësisht i shëndetshëm.”

Në bazë të vdekjes së papritur nga sporti qëndrojnë sëmundje të ndryshme të zemrës, disa të dukshme në ekzaminime rutinë, e disa të tjera për fat të keq “të padukshme”.

“Tek të rinjtë,” – shpjegon Musumeci, – “shkaku shpesh është një sëmundje kongjenitale e zemrës, si një kardiomiopati (sëmundje e muskulit të zemrës) ose një sëmundje e sistemit elektrik të zemrës, si p.sh. sindroma Brugada. Këto mund të zbulohen me një elektrokardiogram (EKG) ose një ekokardiografi, nëse kryhen siç duhet.”
Por ekzistojnë edhe raste ku asnjë prej këtyre ekzaminimeve standarde nuk e tregon rrezikun:

“Ka gjendje jashtëzakonisht të vështira për t’u diagnostikuar, të lidhura me defekte mikroskopike të qelizave të zemrës, të quajtura kanalopati,” –thekson specialisti. – “Ato prekin kanalet jonike që rregullojnë kalimin e natriumit, kalciumit dhe kaliumit në zemër, por nuk ndryshojnë dukshëm strukturën e zemrës.”
Me fjalë të tjera, kanalopatitë nuk shihen në EKG apo eko, sepse janë sëmundje gjenetike dhe të heshtura. Zbulohen shpesh vetëm përmes testeve gjenetike specifike, të cilat bëhen pas një vdekjeje të papritur, kur mjekët kontrollojnë edhe familjarët e viktimës.

Aktiviteti i fortë fizik mund të kthehet në faktor që “aktivizon” një problem të fshehur.

“Gjatë një maratone apo stërvitjeje ekstreme,” –shpjegon Musumeci, – “zemra i nënshtrohet një lodhjeje të zgjatur, rritet kërkesa për oksigjen dhe ndryshon balanca elektrike e muskulit kardiak. Nëse ekziston një sëmundje latente, ajo mund të shfaqet pikërisht në atë moment, duke shkaktuar një arrest kardiak të menjëhershëm.”
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se sporti është i dëmshëm:

“Aktiviteti fizik është i dobishëm, por duhet praktikuar me ndërgjegje dhe me kontrolle të përshtatshme.”
Nga njëra anë:

-sportistët profesionistë monitorohen më shpesh dhe bëjnë ekzaminime të rregullta;
nga ana tjetër:

-ata janë edhe ata që i japin zemrës stresin më të madh fizik stërvitje të përditshme, gara me intensitet të lartë, ngarkesa ekstreme çka mund të “nxjerrë në pah” ose të rëndojë patologji të fshehura.

Kur flasim për vdekje të papritur kardiake, koha është gjithçka.
Çdo minutë vonesë në ringjallje ul me rreth 10% shanset për mbijetesë.

Në këtë situatë, defibrilatori është shpesh i vetmi mjet që mund të rikthejë zemrën në ritëm normal:

“Defibrilatori njeh automatikisht aritmitë e rënda dhe lëshon një impuls elektrik që mund të ribëjë zemrën të rrahë. Tek pacientët me rrezik të lartë  si ata që kanë pasur arrest kardiak më parë, ose me funksion shumë të ulët të zemrës  mund të implantojmë një defibrilator të brendshëm automatik, që e shoqëron pacientin gjithë jetën dhe ndërhyn në rast nevoje.”
Në ambiente sportive, prania e defibrilatorëve semiautomatikë (DAE) dhe personelit të trajnuar mund të bëjë realisht diferencën: shumë jetë janë shpëtuar pikërisht falë një ndërhyrjeje të shpejtë në fushë, pistë apo palestër.