Nëse këtë vit në Panairin e Librit do të blesh romane, po të vijmë në ndihmë t’i zgjedhësh me kujdes. Tri histori që flasin për famën, dashurinë, ndarjen, vetminë, zbulimin e vetes. Tre zëra krejt të ndryshëm, që takohen në një pikë të përbashkët: njeriun kur mbetet vetëm përballë së vërtetës së vet.


1. “Bionde” – për ata që s’duan më mite, por njerëz

Titulli: Bionde (Blonde)
Autore: Joyce Carol Oates
Faqe: 806 

Marilyn Monroe-n e kemi parë në postera, filma, citate në Instagram. Oates bën të kundërtën: e heq nga piedestali dhe e kthen në vajzën që ishte dikur: Norma Jeane.

“Bionde” nuk është thjesht një roman për një ikonë seksi, por një rrëfim i gjatë, i dhimbshëm dhe magjepsës për një grua që kërkon një gjë shumë njerëzore: të ndihet e dashur dhe e sigurt. Nga fëmijëria e thyer në jetimoret e Los Anxhelosit, deri te dritat e verbëta të Hollivudit, romani të fut në mendjen e një gruaje që jeton mes ëndrrës dhe ankthit, mes adhurimit dhe shfrytëzimit.

Oates shkruan me një gjuhë poetike dhe psikologji të thellë: fama nuk është vetëm lavdi, por edhe dhunë e heshtur, vetmi, një buzëqeshje që mbulon boshllëkun. “Bionde” është ideal për ty nëse:
-të pëlqejnë romanet voluminoze ku mund të humbasësh për javë të tëra
-do të shohësh përtej mitit “Marilyn” dhe të takosh një grua të vërtetë, të brishtë, kontradiktore
-të tërheq ideja e një romani që përzien historinë, filozofinë dhe dramën intime


2. “I dashur, ti je trap”, për ata që janë lodhur nga romancat e bukura në letër

Titulli: I dashur, ti je trap
Autore: Neda Balluku
Faqe: 130 

Ky nuk është romani tipik “për dashurinë”. Është roman për atë çfarë mbetet nga ne pasi iluzionet bien. Neda Balluku të fton në një histori ku pyetjet janë më të rëndësishme se përgjigjet:
-Sa mirë e njeh njeriun që fle pranë teje?
-E do për atë që është, apo për mënyrën si të bën të ndihesh?

Alisia dhe Oresti janë një çift, por mund të jenë kushdo: unë, ti, dikush që e njeh mirë. Marrëdhënia e tyre nuk është përrallë, por pasqyrë me xhelozi, frikë, zhgënjim, pasion, heshtje. Ky libër të zhvesh nga mashtrimet romantike dhe të detyron të shohësh: çfarë po kërkoj realisht te tjetri, dashuri apo arratisje nga vetja?

Ky është libri ideal për ty nëse:
-ke qenë ndonjëherë në një marrëdhënie ku e ke ndjerë se po humb veten
-do të lexosh diçka shqip, aktuale, urbane, të sinqertë
-do një roman që lexohet shpejt, por të mbetet gjatë

3. “Skenar brilant”, për të qeshur, për të qarë dhe për të rifilluar

Titulli: Skenar brilant (The Good Material)
Autore: Dolly Alderton
Faqe: 330 

Nëse të pëlqejnë komeditë romantike britanike, me humor të hollë dhe dramë njerëzore, ky është libri yt në panair.

Endi, komedian në të tridhjetat e vona, mendonte se ai dhe Xheni do të ishin “përgjithmonë”. Derisa “përgjithmonë”-s i mbaron afati. Kur ajo largohet, ai mbetet vetëm me veten, me kujtimet, me dështimet, me frikën e rritjes dhe rifillimit.

Dolly Alderton flet për ndarjen pa melodramë të lodhshme: me humor, ironi, situata absurde dhe momente që i ke jetuar edhe vetë (ose do t’i jetosh).

Është libri që:
-të bën të qeshësh me lot teksa lexon për zemërthyerjen e tjetrit
-të ngushëllon nëse je në mes të një ndarjeje (apo ende s’e ke përtypur një të vjetër)
-ta kujton se brishtësia nuk është dështim, por material i mirë – “good material” – për jetën tënde