
Në vetëm pak kohë nga publikimi, libri “Një Fillim i Ri” i autores Valentina Rexhaj ka shënuar një sukses të rrallë në platformën Amazon, duke u renditur Top 3 Bestseller në tri kategori të ndryshme në të njëjtën kohë.
Përtej shifrave dhe renditjeve, kjo arritje lexohet si një kurorëzim i një rruge të gjatë pune, të ndërtuar me vizion, besim dhe një përkushtim të vazhdueshëm ndaj zhvillimit personal dhe transformimit të brendshëm.
Valentina Rexhaj është themeluese e Akademisë së Zhvillimit Personal, një platformë që ndër vite është kthyer në një hapësirë ku shumë njerëz kanë kërkuar dhe gjetur orientim për ndryshim. Përmes programeve edukative, trajnimeve, meditimit të udhëhequr, retreat-eve dhe mentorimit, ajo ka punuar me individë nga vende të ndryshme, duke i ndihmuar të kapërcejnë blloqe mendore, të përpunojnë ngarkesa emocionale dhe të ndërtojnë një raport më të shëndetshëm me veten dhe jetën.

Qasja e saj bashkon spiritualitetin, inteligjencën emocionale dhe veprimin e vetëdijshëm, duke e kthyer ndryshimin nga një ide në një praktikë të përditshme me rezultate që synojnë të jenë të qëndrueshme.
Si autore, Valentina ka publikuar pesë libra, të fokusuar në vetëdije, fuqizim dhe rikthim te vetja autentike. “Një Fillim i Ri”, tashmë i pozicionuar mes më të shiturve në Amazon, vjen si një ftesë për guxim: të mbyllësh kapitujt e vjetër, të çlirohesh nga modelet që të mbajnë peng dhe të hapësh një rrugë të re.

Suksesi i sotëm është një konfirmim i asaj që historia e saj përcjell prej kohësh: kur besimi shoqërohet me punë, integritet dhe këmbëngulje, rezultati bëhet i prekshëm.
Deri dje e lexonim vetëm në shqip; tani, me këtë hap në një audiencë më të gjerë, për Valentinen duket se ky është veç fillimi i një kapitulli të ri.

