Pas një periudhe të gjatë mungese, Bes Kallaku është shfaqur në një intervistë të gjatë në podcastin e Grida Dumës, ku ka folur pa dorashka për zhgënjimet personale, për mosmirënjohjen dhe për raportin e tij me besimin.

Në qendër të bisedës, aktori ndalet te një ide që e përsërit me peshë: goditjet më të rënda nuk vijnë nga larg, por nga brenda rrethit të ngushtë nga njerëzit me të cilët ke ndarë ditët, rrugën dhe “bukën”.

“Zhgënjimet më të forta vijnë pikërisht nga ata me të cilët ke ndarë jetën dhe bukën.”
Duke kaluar te tema e mosmirënjohjes, ai e përshkruan diferencën mes një ndihme të momentit dhe një ndihme që shkon përtej asaj që quhet “detyrim” shoqëror duke e vendosur theksin te sakrifica e heshtur.

“Ka diferencë mes me t’dhonë një dorë dhe me t’dhonë bukën. Unë mendoj se shumë njerëzve u kam dhënë jo vetëm dorën, por edhe bukën e përditshme.

Kur shpirti yt është i pastër, pastërtia e tij irriton demonët e të tjerëve përreth.

Sado të zgjasë nata, do lindë dielli. Kur Zoti është me mua, kush mund të jetë kundër meje?

Armikun e njeh dhe i ruhesh. Frika më e madhe është miku-armik."