OpenAI ka prezantuar një hapësirë të re brenda ChatGPT të quajtur Health, e konceptuar si një përvojë e dedikuar për pyetje mbi shëndetin dhe mirëqenien, ku përdoruesi mund të lidhë në mënyrë të sigurt të dhëna personale shëndetësore për të marrë përgjigje më të sakta dhe më të kontekstuara. Ky zhvillim vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë njerëz i drejtohen chatbotit për dilema të përditshme mbi simptomat, analizat, ushqimin, stërvitjen apo mënyrën si të përgatiten për një vizitë te mjeku. OpenAI thotë se çdo javë mbi 230 milionë persona globalisht i bëjnë ChatGPT pyetje të lidhura me shëndetin dhe mirëqenien. 

Ideja kryesore e Health është të zgjidhë një problem shumë praktik: sot, informacioni shëndetësor shpërndahet në dhjetëra vende të ndryshme, portale spitalore, aplikacione, pajisje të veshshme, PDF, shënime mjekësore, dhe për shumë njerëz kjo kthehet në rrëmujë. Health synon ta mbledhë këtë “copëzimin e të dhënave” në një vend të vetëm, ku biseda me ChatGPT mund të mbështetet te konteksti yt, jo vetëm te pyetja e momentit.

Në Health mund të lidhësh burime si Apple Health, si edhe aplikacione mirëqenieje të mbështetura, për shembull MyFitnessPal dhe Function, që përgjigjet të mos jenë të përgjithshme, por të bazuara te modeli yt i të dhënave dhe zakoneve. Po ashtu, mund të lidhen edhe kartela mjekësore në format digjital, aty ku kjo është e disponueshme. 

Kjo do të thotë që, në vend të “interpretimit” të ftohtë të një analize të vetme, mund të kërkosh: përmbledhjen e analizave të fundit, trendin e vlerave me kalimin e kohës, pyetje që duhet t’i bësh mjekut në takimin e radhës, ose si ta kuptosh më mirë një raport mjekësor. OpenAI e pozicionon qartë si një mjet mbështetës që ndihmon të orientohesh dhe të përgatitesh më mirë, jo si zëvendësim i mjekut.

Përdorimi nuk ndryshon rrënjësisht nga ChatGPT që njeh: bisedon normalisht, ngarkon dokumente kur të duhet, ose lidh aplikacione, por diferenca është se bisedat e Health janë në një hapësirë të veçantë. Health shfaqet si një seksion i ri në anësore dhe, nëse nis një bisedë shëndeti në chat të zakonshëm, ChatGPT mund të të sugjerojë ta vazhdosh te Health për të shfrytëzuar këto funksione.

Një pikë që theksohet fort është privatësia. Sipas OpenAI, përmbajtja e Health, pra bisedat, skedarët, memories dhe të dhënat e lidhura, qëndrojnë të ndara nga pjesa tjetër e ChatGPT dhe nuk përdoren për të trajnuar modelet bazë. 

OpenAI thotë gjithashtu se Health ka mbrojtje shtesë të ndërtuara enkas për këtë përdorim, duke përfshirë izolim të bisedave të shëndetit dhe mekanizma të shtresëzuar sigurie, pikërisht sepse bëhet fjalë për të dhëna shumë sensitive.

Health është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me mjekë, me synimin që mënyra si përgjigjet një asistent për tema shëndeti të jetë realisht ndihmuese dhe të minimizojë rreziqet e keqinterpretimit. OpenAI e përshkruan si një produkt të projektuar për t’i bërë njerëzit më të informuar, më të përgatitur dhe më të sigurt kur menaxhojnë mirëqenien e tyre, ndërsa vendimet klinike i mbeten profesionistëve. 

Për momentin, Health po shpërndahet gradualisht: fillimisht për një grup të kufizuar përdoruesish, për të marrë feedback dhe për ta përmirësuar përvojën, me zgjerim më pas për të tjerët në web dhe iOS.