
Një ide që nisi si detyrë për një festival kombëtar të inovacionit, po shndërrohet në një projekt me ndikim të drejtpërdrejtë social. Laura Memoçi, Ledjan Bitri dhe Luis Salla janë tre anëtarët e grupit që kanë ndërtuar prototipin e një pajisjeje inteligjente në gjimnazin 'Ibrahim Hasmema Mullet', e cila synon të ndihmojë personat me probleme të theksuara të shikimit të identifikojnë pengesat dhe të lëvizin më të sigurt në ambientet e përditshme.
Sipas grupit, nisma lindi nga kërkesa e festivalit ku çdo shkollë duhej të sillte projekte inovative të bazuara në teknologji, inxhinieri dhe zgjidhje praktike. Por ajo që e ktheu këtë projekt nga “ide për konkurs” në “nevojë reale” ishte një histori konkrete: një mik i përbashkët me vështirësi të theksuara në shikim.

Duke u nisur nga kjo përvojë, tre nxënësit menduan ta përdorin teknologjinë për të krijuar një pajisje që ndihmon përdoruesin të dallojë pengesat përmes sensorëve dhe t’i paraprijë atyre falë sinjalizuesve që pajisja jep. Qëllimi, siç shprehen ata, është të ofrojnë një inovacion që i shërben vërtet komunitetit, jo thjesht një ide që mbetet në letër.
Pajisja është konceptuar që të montohet në çdo shkop për të verbër, me përbërje specifike, duke e bërë më të lehtë integrimin pa ndryshuar mënyrën tradicionale të përdorimit të shkopit. Ajo përdor sensorë distance që lexojnë distancën e objektit përpara dhe e paralajmëron përdoruesin për pengesat, duke rritur sigurinë në lëvizje.
Për ndërtimin e prototipit janë përdorur disa komponentë teknikë, ndër to:
Arduino Uno, si mikrokontrollues robotik
Sensorë distance që lexojnë distancën e objektit
Modul zëri DYSV8-F dhe ESP32
Charger module dhe bateri të rikarikueshme
Shkop për të verbër, mbi të cilin montohet pajisja

Grupi shpjegon se disa prej këtyre komponentëve nuk gjenden në Shqipëri, ndaj i kanë porositur në Gjermani për të arritur standardin që kërkon projekti.
Sipas ekipit, projekti nuk ndalet te prototipi aktual. Në fazën e dytë, me mbështetjen e Shoqatës së të Verbërve, ata synojnë ta përmirësojnë shkopin inteligjent duke shtuar orientimin me GPS dhe njohjen e objekteve përmes mikro-kamerave inteligjente, në mënyrë që pajisja të mos sinjalizojë vetëm pengesën, por të kuptojë më saktë se çfarë ndodhet përpara.
Megjithatë, për të kaluar në fazat e ardhshme, grupi thotë se nevojiten fonde dhe mbështetje konkrete, pasi në nivel shkolle nuk ofrohen financime të mjaftueshme për ta çuar projektin drejt fazës së tretë dhe zhvillimit të tij afatgjatë.

