
WhatsApp po hap një kapitull të ri për familjet, duke prezantuar një mënyrë përdorimi të dedikuar për fëmijët dhe para adoleshentët: llogaritë e menaxhuara nga prindërit. Ideja është e thjeshtë, por e shumëkërkuar prej vitesh: fëmijët po e përdorin gjithnjë e më shpesh WhatsApp për shokët e klasës, miqtë dhe familjarët, ndërsa prindërit kanë kërkuar më shumë mjete për t’i mbrojtur nga kontaktet e padëshiruara dhe situatat problematike online.
Në këtë model të ri, kur një i mitur aktivizon llogarinë e “menaxhuar”, profili i tij lidhet me profilin e një prindi. Kjo do të thotë që prindi mund të kontrollojë disa nga cilësimet më të ndjeshme, pa ia lënë gjithçka rastësisë apo “rregullave” që fëmija mund t’i ndryshojë vetë.
Çfarë mund të kontrollojnë prindërit
Sipas mënyrës së re të funksionimit, prindërit do të kenë mundësi të vendosin:
-kush mund ta kontaktojë fëmijën
-si menaxhohen kërkesat nga numra të panjohur
-nëse fëmija mund të shtohet në grupe dhe si bëhet ky proces
Qëllimi është i qartë: bisedat të mos nisin automatikisht me këdo, por të kalojnë përmes filtrave dhe verifikimeve, në mënyrë që të ulen sa më shumë kontaktet e padëshiruara.
-Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se WhatsApp, për këtë kategori llogarish, e ka “thjeshtuar” aplikacionin. Llogaritë e të vegjëlve fokusohen kryesisht te mesazhet dhe telefonatat, ndërsa disa funksione që i ngjajnë më shumë një platforme sociale, si elemente të caktuara publike ose të “zbulimit”, nuk do të jenë të disponueshme. Praktikisht, ideja është që WhatsApp të mbetet një mjet komunikimi me rrethin e afërt, jo një hapësirë ekspozimi.
Ndryshimet kyçe nuk bëhen pa kod
Për ta bërë sistemin realisht funksional, WhatsApp ka menduar edhe një detaj praktik: ndryshimet më të rëndësishme të cilësimeve do të jenë të mbrojtura me kod, të kontrolluar nga prindi. Kjo e bën më të vështirë që një fëmijë t’i heqë kufizimet “kur t’i teket”.
Privatësia mbetet, edhe përballë prindërve
Ndërkohë, platforma thekson se kriptimi end-to-end vazhdon të jetë aktiv. Pra, as WhatsApp dhe as prindërit nuk mund t’i lexojnë mesazhet. Kontrolli lidhet me rregullat e kontaktit dhe përdorimit, jo me përmbajtjen e bisedave, për të ruajtur privatësinë e komunikimit.
Ky zhvillim vjen në një moment kur vëmendja globale ndaj ndikimit të platformave digjitale te të miturit është rritur shumë, me debate, presion publik dhe masa të ndryshme që po diskutohen në shumë vende. Me këtë hap, WhatsApp duket se po kërkon një rrugë të mesme: jo t’ua ndalojë të rinjve përdorimin e aplikacionit, por t’u japë familjeve mjete më të forta për ta shoqëruar atë përdorim në mënyrë më të sigurt.
Sistemi i ri pritet të shpërndahet gradualisht në vende të ndryshme, pra nuk do të shfaqet menjëherë për të gjithë njëkohësisht.
