Blake Lively po planifikon, sipas raportimeve, t’i tregojë jurisë një video të Justin Baldoni-t, ku ai pyeste nëse e kishte “ngacmuar” Britney Spears.

Aktorja dëshiron të përdorë në gjyqin e ardhshëm një klip të vitit 2017, ku Baldoni kujtonte një ndërveprim të sikletshëm me Britney Spears, kur këngëtarja ishte e ftuar në një episod të serialit “Jane the Virgin”. 

Në një intervistë për Fuse, Baldoni kishte thënë se në shkollë të mesme kishte qenë një fans i madh i Spears dhe se, përpara se ajo të vinte në xhirime, kishin shkëmbyer edhe postime në Twitter. Ai tregoi se kishte shkuar ta takonte, edhe pse nuk kishin asnjë skenë bashkë. 

“Isha afruar drejt saj dhe, në mendjen time, ne ishim miq”, kishte thënë ai duke qeshur. “Nuk ishim.” Më pas shtoi: “U afrova dhe i dhashë një përqafim të madh, dhe mendoj se e tremba, sepse ajo reagoi si ‘Përshëndetje’, dhe unë pata atë momentin e sikletshëm kur thashë me vete: ‘Mos vallë sapo e ngacmova seksualisht Britney Spears?’” 

Baldoni luante rolin e Rafael Solano-s në serialin e CW “Jane the Virgin”, i cili u transmetua për pesë sezone nga viti 2014 deri në 2019. Britney Spears ishte e ftuar në një episod të sezonit të dytë, ku interpretonte një version të ekzagjeruar të vetes. 

Sipas raportimit, Blake Lively dëshiron ta përdorë këtë video për ta krahasuar sjelljen e Baldoni-t me Spears me sjelljen që, sipas saj, ai ka pasur ndaj saj në sheshxhirimin e filmit “It Ends With Us”. Lively e ka akuzuar Baldoni-n për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të filmit të vitit 2024, por pretendimet e saj për ngacmim seksual u rrëzuan nga gjykata në fillim të këtij muaji.

Gjykatësi Lewis Liman hodhi poshtë 10 nga 13 pretendimet e Lively-t ndaj Baldoni-t, përfshirë ato për ngacmim seksual, shpifje dhe komplot. Megjithatë, tre prej pretendimeve të saj do të vazhdojnë në gjyq: shkelje kontrate, hakmarrje dhe ndihmë në hakmarrje. Gjyqi është caktuar për më 18 maj.