
Një 28-vjeçare është kallëzuar penalisht në Firence, Itali pasi u ngjit mbi shatërvanin historik të “Biancone” në Piazza della Signoria, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme.
E reja hyri në shatërvanin e njohur, vepër e skulptorit Bartolomeo Ammannati, duke kapërcyer pengesat mbrojtëse dhe për të shmangur ujin, ajo u ngjit mbi elementët dekorativë të monumentit, duke e përdorur strukturën si mbështetje.
Sipas dëshmisë së saj para policisë, veprimi ishte pjesë e një sfide paramartesore që të prekte pjesë të caktuara intime të statujës. Megjithatë, ajo u pikas menjëherë nga agjentët, të cilët ndërhynë dhe e nxorën nga shatërvani.
Pas një inspektimi nga specialistët e Fabbrica di Palazzo Vecchio, u konstatuan dëmtime në disa pjesë të monumentit, përfshirë elementët dekorativë ku ajo ishte mbështetur.
