Sam Asghari, ish-bashkëshorti i këngëtares Britney Spears, ka komentuar për herë të parë vendimin e saj për t’iu nënshtruar një programi rehabilitimi, duke e cilësuar atë si një zgjedhje pozitive për jetën e saj.

Në një prononcim për TMZ, modeli 32-vjeçar theksoi se çdo hap që ndihmon në shërim dhe përmirësim personal është për t’u mbështetur. Sipas tij, më e rëndësishmja është që ky vendim të vijë nga vetë dëshira e individit.

“Është diçka e mirë, për sa kohë që vjen nga vullneti i saj,” u shpreh ai.

Asghari bëri të ditur gjithashtu se nuk ka pasur komunikim me Spears që nga momenti kur ajo është futur në qendrën e trajtimit.

Këngëtarja amerikane vendosi të kërkojë ndihmë profesionale pas një incidenti në fillim të marsit, kur u arrestua nën dyshimet për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera. Ajo u lirua një ditë më pas.

Vendimi për rehabilitim u konfirmua më 12 prill nga përfaqësues të këngëtares, të cilët e përshkruan si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit. Ata theksuan se ajo do të ndjekë një plan të strukturuar për të rikthyer stabilitetin në jetën e saj.