
Kanë kaluar katër vite nga dasma e Brooklyn Beckham me Nicola Peltz dhe, nga mënyra si është rrëfyer deri tani, pikërisht aty thuhet se nisi drama familjare. Ndërsa Brooklyn duket se e ka bërë zgjedhjen e tij, pjesa tjetër e familjes dhe vëllezërit e tij kanë dhënë sinjale se, të paktën nga ana e tyre, ka ende përpjekje për ta riparuar raportin. Së fundmi, ishte Cruz ai që preku një nerv të ndjeshëm: publikoi një foto nga fëmijëria, nga ato ditët kur gjithçka dukej më e thjeshtë.
Këtë javë, Cruz postoi një foto të vjetër ku shfaqet me Brooklyn dhe Romeo, të tre me këmisha të bardha të ngjashme, një kujtim i qartë i “kohëve të mira”. Në një histori ku distanca mes tyre është bërë lajm më vete, një imazh i tillë tingëllon si mesazh pa fjalë, sidomos sepse Brooklyn thuhet se është i larguar jo vetëm nga prindërit, por edhe nga vëllezërit.
Cruz, më i vogli nga djemtë, nuk ka hezituar ta prekë publikisht këtë temë edhe më herët, sidomos kur u përfol se Victoria dhe David kishin bllokuar Brooklyn në dhjetor 2025. Ai e mohoi versionin e lajmit dhe doli në mbrojtje të prindërve, duke thënë se kishte ndodhur e kundërta: “Jo e vërtetë. Mami dhe babi im kurrë s’do ta ‘unfollow’-onin djalin e tyre… T’i vendosim faktet në vend. U zgjuan të bllokuar… si edhe unë.”

Një muaj më pas, në janar, Brooklyn publikoi deklaratën e tij tashmë të famshme, ku ngriti akuza ndaj familjes që u përhapën me shpejtësi dhe ndezën edhe më shumë spekulimet, përfshirë historinë e përfolur “Marc Anthony–Victoria” rreth vallëzimit të parë.
Zyrtarisht, nuk ka një shpjegim të qartë se pse Brooklyn do të ishte në konflikt specifikisht me vëllezërit, përveç faktit që ai duket se ka “ngrënë” të gjithë familjen me një distancim të plotë. Por sinjalet e brendshme vazhdojnë. Muajin e kaluar, Cruz u pa i prekur emocionalisht teksa këndonte “Loneliest Boy” në turne, dhe vargjet “mos i largo të gjithë miqtë… mami s’flet shumë, po i thyhet zemra” nuk janë aspak të fshehta për kë e kanë në shënjestër, sipas leximit të publikut.
Edhe në mars, pak para ditëlindjes së Brooklyn, paparacët e pyetën Cruz nëse mendonte se do të kishte pajtim. “Shpresoj,” u përgjigj ai, shkurt, por mjaftueshëm sa të kuptohej se dera, nga ana e tij, nuk është mbyllur.
Ndërkohë, kjo histori dikur shumë private është kthyer në një temë që familja Beckham e ndjen si presion në çdo dalje publike. Victoria Beckham e preku për herë të parë në një intervistë të fundit, pa e përmendur Brooklyn me emër, por duke folur qartë për atë që po ndodh: “Ne i duam fëmijët tanë shumë… gjithmonë kemi provuar të jemi prindërit më të mirë që mundemi. Jemi në syrin e publikut prej më shumë se 30 vitesh dhe gjithçka që kemi bërë është t’i mbrojmë e t’i duam fëmijët tanë. Dhe kaq dua të them për këtë.”
Sipas asaj që besohet, Brooklyn nuk ka folur me prindërit që nga maji i kaluar, por letra e tij 6-faqëshe “foli” mjaftueshëm për të gjithë.
Dhe po, për publikun kjo dramë mund të duket si serial, por në thelb mbetet e hidhur. Sidomos kur mendon për më të voglën, Harper. Askush nuk e di realisht ku qëndron ajo në këtë situatë, por është e vështirë të mendosh se një 14-vjeçare duhet ta përjetojë humbjen e kontaktit me vëllain e madh dhe të rritet pa dinamikën familjare që dikur e ka pasur normale.
