
Autorja Sabrina Abazaj, vetëm 22 vjeçe, por me një pasion të madh për të shkruar, ka publikuar së fundmi librin e saj “Një dritë që nuk u shua kurrë”, një rrëfim që po prek zemrat e mijëra lexuesve shqiptarë.
Studente ekselente në biologji, ajo ka shndërruar dhimbjen për humbjen e vëllait të saj në një histori të ndjerë.
22-vjeçarja nga Vlora në librin e saj tregon se kujtimi i të dashurve nuk shuhet kurrë dhe se dhimbja mund të shndërrohet në forcë.
'Unë jam një autore që nuk shkrova thjesht një libër por derdha shpirtin tim në çdo faqe. Libri im, “Një dritë që nuk u shua kurrë”, është një dedikim për vëllain tim, një figurë e paharrueshme në jetën time, që edhe pse fizikisht nuk është më, vazhdon të jetojë në çdo kujtim, në çdo fjalë dhe në çdo rrahje zemre.
Ky libër nuk është vetëm një histori personale. Është një mesazh për këdo që ka humbur dikë të dashur, për këdo që ka ndjerë dhimbjen, por edhe për ata që besojnë se dashuria nuk shuhet kurrë. Përmes rrëfimit tim, kam dashur të tregoj se si dhimbja mund të shndërrohet në forcë, dhe kujtimi në dritë që të udhëheq përpara. Shkrimi për mua nuk ishte zgjedhje ishte nevojë', thotë ajo.
Sabina rrëfen se merr mesazhe çdo ditë nga lexues që gjejnë veten në historinë e saj, ndërsa shton se disa njerëz nuk largohen kurrë vërtet, por ata bëhen 'dritë që nuk shuhet kurrë'.
'Ishte mënyra ime për të folur me të, për ta mbajtur gjallë, për të mos lejuar që historia e tij të harrohej. Sot, ky libër po prek zemrat e shumë lexuesve. Mesazhet që marr çdo ditë janë dëshmi se historia ime nuk është vetëm e imja është e shumë njerëzve që gjejnë veten në këto faqe. Nëse ky libër arrin të ndezë qoftë edhe një dritë të vogël shprese në zemrën e dikujt, atëherë misioni im është përmbushur. Sepse disa njerëz nuk largohen kurrë vërtet. Ata bëhen dritë që nuk shuhet kurrë,” thotë ajo.
