Këngëtarja Ariana Grande ka konfirmuar se albumi i saj i tetë do të publikohet këtë verë, duke shënuar një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e saj muzikore.

Ajo ndau lajmin përmes rrjeteve sociale, ku publikoi një fotografi të kopertinës së albumit. Në imazh, ajo shfaqet duke buzëqeshur, ndërsa krahas fotos zbuloi edhe titullin e projektit të ri, “Petal”.

Postimi u prit menjëherë me entuziazëm nga fansat, të cilët kanë kohë që presin materiale të reja nga ylli i pop-it.

Albumi i ri, i cili përmban 12 këngë, pritet të dalë më 31 korrik. Ky publikim vjen pak më shumë se një vit pas projektit të saj të fundit Eternal Sunshine Deluxe: Brighter Days Ahead, i cili pati sukses të madh dhe u mirëprit nga publiku dhe kritika.

Lajmi për albumin vjen në një moment shumë të rëndësishëm për artisten, pasi ajo është gjithashtu në prag të një turneu të madh muzikor. Turneu “The Eternal Sunshine” do të nisë në muajin qershor dhe do të përfshijë disa nga qytetet më të mëdha, si Los Angeles, New York, Boston, Chicago dhe Montreal.

Një pjesë e rëndësishme e turneut do të zhvillohet edhe në O2 Arena, ku janë planifikuar plot 10 shfaqje gjatë muajve gusht dhe shtator.