
Një raport i ri nga UN Women ngre alarmin për një fenomen në rritje, abuzimi online i ndihmuar nga inteligjenca artificiale po ndikon drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e grave në jetën publike. Gazetaret, aktivistet dhe mbrojtëset e të drejtave të njeriut po bëhen gjithnjë e më shumë objekt sulmesh, që përfshijnë deepfake dhe forma të rënda të dhunës digjitale.
Studimi, i realizuar në bashkëpunim me St George's University of London dhe laboratorin digjital TheNerve, i themeluar nga gazetarja nobeliste Maria Ressa, paraqet një situatë shqetësuese në shkallë globale.
Më shumë se 640 gra nga 119 vende morën pjesë në anketë në fund të vitit 2025. Rezultatet tregojnë se 27% e tyre kanë marrë mesazhe ose imazhe seksuale të padëshiruara, 12% kanë parë materiale personale të shpërndara pa pëlqimin e tyre, ndërsa 6% kanë qenë viktima të përmbajtjes vizuale të manipuluar apo tërësisht të rreme.
Sipas raportit, këto sulme nuk janë të rastësishme. Në shumë raste, ato organizohen me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe besueshmërisë së grave, duke i shtyrë gradualisht të tërhiqen nga hapësira publike. Në qendër të këtij fenomeni janë teknologjitë e njohura si Deepfake, që lejojnë krijimin e imazheve dhe videove të rreme në pak minuta dhe me kosto minimale.
Pasojat janë tashmë të dukshme, me mbi 40% të grave që deklarojnë se vetëcensurohen në rrjetet sociale për të shmangur sulmet, ndërsa pothuajse një në pesë ka kufizuar hapësirën e saj profesionale.
Ndikimi psikologjik është po aq i rëndë. Një në katër gra raportojnë ankth ose depresion, ndërsa shumë të tjera përballen me pasoja më të thella si çrregullimi i stresit post-traumatik.
Siç thekson studiuesja kryesore e raportit, Julie Posetti, inteligjenca artificiale i ka bërë këto forma abuzimi më të lehta për t’u realizuar se kurrë më parë. Ajo paralajmëron se kjo lloj dhune po përshpejton përjashtimin e grave nga diskursi publik dhe po kthehet në një pengesë serioze për të drejtat e tyre.
Një tjetër problem madhor mbetet reagimi institucional. Edhe pse shumë raste raportohen, vetëm një pjesë e vogël përfundojnë me veprime ligjore. Madje, disa gra deklarojnë se kur i janë drejtuar autoriteteve, janë përballur me qëndrime fajësuese, duke u pyetur se çfarë kishin bërë për ta “shkaktuar” situatën.
Ekspertët theksojnë nevojën urgjente për trajnime më të mira për policinë dhe sistemin gjyqësor, si dhe për rregullim më të rreptë të kompanive të teknologjisë. Pa masa konkrete, paralajmërojnë ata, abuzimi digjital i ndihmuar nga inteligjenca artificiale rrezikon të përforcojë pabarazitë dhe të kufizojë zërin e grave në shoqëri.
