Dashuria në një marrëdhënie nuk mbahet gjallë vetëm nga afërsia fizike. Edhe pse prekja, puthjet dhe intimiteti fizik janë të rëndësishme, lidhja mes dy partnerëve forcohet nga shumë forma të tjera afërsie emocionale dhe shpirtërore. 

Shumë çifte humbasin lidhjen me kalimin e kohës jo sepse mungon dashuria, por sepse mungon komunikimi, mirëkuptimi dhe ndarja e emocioneve.

Intimiteti emocional

Kjo formë lidhet me aftësinë për të ndarë hapur ndjenjat dhe mendimet më të thella. Për shumë njerëz, kjo është baza e një marrëdhënieje të fortë. Të ndihesh i kuptuar dhe i mbështetur nga partneri krijon një ndjenjë sigurie dhe besimi. Kur dy persona arrijnë ta njohin njëri-tjetrin në thellësi dhe të pranojnë dobësitë e njëri-tjetrit, marrëdhënia bëhet më autentike. Në nivelin më të lartë, partnerët arrijnë ta kuptojnë njëri-tjetrin edhe pa fjalë, por vetëm me shikime dhe kjo është një shenjë e fortë e lidhjes emocionale.

Intimiteti intelektual

Ky lloj intimiteti krijohet kur partnerët ndajnë ide, mendime dhe bindje pa frikë nga gjykimi. Kur ndihesh i lirë të shprehesh dhe e di që tjetri të dëgjon dhe të respekton, krijohet një lidhje e veçantë mendore.
Respekti për opinionin e tjetrit dhe gatishmëria për të diskutuar edhe kur nuk jeni dakord janë thelbësore për këtë formë afërsie.

Intimiteti shpirtëror

Edhe pse shpesh lidhet me fenë, intimiteti shpirtëror shkon përtej saj. Ai ka të bëjë me ndarjen e mendimeve mbi jetën, kuptimin e saj, vlerat dhe besimet personale. Kur një çift mund të diskutojë qetësisht tema të thella ekzistenciale dhe të respektojë këndvështrimet e njëri-tjetrit, ata ndërtojnë një bazë të fortë për një marrëdhënie afatgjatë.

Intimiteti fizik

Kjo është forma më e njohur dhe përfshin afeksionin fizik, si prekjet, përqafimet dhe marrëdhëniet intime. Megjithatë, ai nuk është i mjaftueshëm më vete. Intimiteti fizik funksionon më mirë kur mbështetet nga lidhja emocionale, intelektuale dhe shpirtërore.