
Këngëtari Gjesti është rikthyer në ekran me një rrëfim emocional ku ka folur për një nga momentet më të vështira të jetës së tij, dhimbjen për humbjen e vëllait, i cili humbi jetën muaj më parë në një aksident tragjik.
Në një intervistë në emisionin “Goca dhe Gra”, artisti tregoi se kjo ngjarje ka lënë gjurmë të thella tek ai, duke i ndryshuar jo vetëm jetën, por edhe mënyrën si e sheh botën.
Gjesti pranoi se pas kësaj tragjedie ka nisur të përballet me ankth, një betejë që vazhdon edhe sot, pavarësisht se përpiqet të shfaqet i fortë dhe pozitiv përpara publikut.
"Jam i thyer në 2 mijë pjesë. Po mundohem gjithë kohën të dal prej kësaj gjendjeje, dhe me ndihmën e Zotit kam për t’ia dalë. Prej rastit të vëllait unë kam ndryshuar komplet në sjellje e në mendime; kuptova që sot je e nesër nuk je. Filloi ankthi dhe sot jam ende me ankth, ende e vuaj. Në publik dal i qeshur, por brenda jam i thyer", u shpreh ai.
Artisti tregoi se kjo periudhë e vështirë e ka afruar edhe më shumë me besimin në Zot, ku ka gjetur forcë dhe qetësi për të përballuar dhimbjen.
Sipas tij, familja është bërë motivi kryesor që e shtyn të vazhdojë përpara dhe të luftojë çdo ditë me veten.
"Ajo gjendje më ka kthyer në rrugë të Zotit, sepse e vetmja zgjidhje është ajo. Motivi për të jetuar dhe për të punuar për familjen më bën të çohem. Qëllimi im kryesor tani është se si të bëhem një njeri i mirë, sepse kjo qenka e vështirë. Vëllai im është në vend të vet, e di që është në vend të sigurt… çdo gjest e çdo gjë që flas, ai më shkon në mendje, kemi qenë shumë të lidhur", tha ai.
