
Këtë të mërkurë, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”, do të luhet ndeshja miqësore Shqipëri-Izrael. Ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Izraelit ka rikthyer edhe një herë masat e jashtëzakonshme të sigurisë që kanë shoqëruar pothuajse çdo përballje mes dy kombëtareve në vitet e fundit.
Rreth stadiumit është vënë re një prani e shtuar e forcave të policisë, ndërsa janë angazhuar edhe ekipe të specializuara për kontrollin e ambienteve. Përveç forcave të rendit, është rritur ndjeshëm edhe numri i punonjësve të sigurisë private të angazhuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas ndeshjes miqësore të futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit, autoritetet kanë parashikuar bllokime të përkohshme të disa akseve rrugore pranë stadiumit, kontrolle të shtuara për tifozët dhe angazhimin e qindra efektivëve të policisë, me qëllim zhvillimin e ndeshjes në kushte të plota sigurie dhe pa incidente.
Bllokimi i rrugëve do të nisë në orën 16:00 deri në përfundim të ndeshjes:
•Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food “Laguna”, pranë urës së ish-hotel Dajtit;
•Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
•Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
•Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;
•Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës;
•Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
•Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, korridor hyrjeje për në parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;
•Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
•Te sheshi “Willson”, devijohet lëvizja në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.
