Mediat sociale na japin mundësinë të komunikojmë me një numër të gjerë njerëzish dhe të përcaktojmë se si u dukemi të tjerëve. Kjo i bën ato një mjet veçanërisht komunikimi për ata që kanë një nivel të lartë narcizmi.

Narcistët dëshirojnë vëmendje dhe admirim nga të tjerët, kështu që një platformë që u lejon atyre të  arrijnë një audiencë të madhe dhe të marrin reagime të menjëhershme në formën e pëlqimeve ose komenteve ofron mundësinë e përsosur për t'u prekur egot. Një studim i ri tregon se mënyra si njerëzit me tipare narcisiste i përdorin rrjetet sociale lidhet shumë me mënyrën si ata mendojnë se të tjerët do t’i perceptojnë.

Studiuesit analizuan sjelljen e pjesëmarrësve për 10 ditë rresht, duke i kërkuar të raportonin për postimet e tyre në rrjetet sociale: çfarë lloj përmbajtjeje postonin, sa përpiqeshin të krijonin një imazh pozitiv dhe si mendonin se të tjerët do të reagonin ndaj tyre. Në fillim, pjesëmarrësit u vlerësuan edhe për nivelin e tipareve narcisiste.

Studimi u bazua në dy forma kryesore të narcisizmit:

1. Narcizmi i “admirimit”

Ky lloj lidhet me dëshirën për t’u dukur i pëlqyer, i suksesshëm dhe tërheqës. Personat me këtë tipar zakonisht: postojnë më shumë përmbajtje pozitive, përpiqen që të krijojnë një imazh sa më të mirë, mendojnë se të tjerët do t’i shohin pozitivisht dhe besojnë se postimet e tyre mund të ndihmojnë në krijimin e lidhjeve të reja shoqërore.

Ajo që është interesante është se këta persona nuk bazohen domosdoshmërisht në përpjekje të mëdha për të “ndërtuar imazhin”, por thjesht besojnë se vetë personaliteti i tyre është mjaftueshëm i mirë për të lënë përshtypje pozitive.

2. Narcizmi i “rivalitetit” 

Ky lloj është më konkurrues dhe më negativ në mënyrën e të menduarit. Personat me këtë tipar: postojnë më shumë përmbajtje negative ose kritike, kanë më pak përpjekje për të krijuar një imazh të mirë, mendojnë se të tjerët do t’i gjykojnë keq dhe besojnë se postimet e tyre mund të dëmtojnë marrëdhëniet ekzistuese ose të reja.

Studimi zbuloi se narcisistët nuk reagojnë vetëm duke postuar ndryshe, por edhe duke parashikuar ndryshe reagimet e të tjerëve, pavarësisht se çfarë realisht postojnë. Kjo do të thotë që mënyra si ata e shohin veten në rrjetet sociale është shumë e ndikuar nga bindjet e brendshme.

Personat me nivel të lartë “admirimi narcisist” shpesh mendojnë se janë interesantë, të pëlqyer dhe tërheqës, ndaj presin reagime pozitive edhe pa bërë shumë përpjekje. Ndërsa ata me “rivalitet narcisist” presin të kundërtën: që të tjerët t’i shohin më negativisht.