
Në Tiranë do të zhvillohet sot protesta e shtatë radhazi kundër projektit të planifikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, ku qindra qytetarë janë mbledhur në Bulevard për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj këtij projekti.
Protesta, e cila nisi fillimisht si një reagim ndaj ndërhyrjeve të planifikuara në një zonë të mbrojtur, u shndërrua me kalimin e ditëve në një lëvizje më të gjerë qytetare. Përveç kërkesës për anulimin e projektit, protestuesit kanë ngritur edhe shqetësime mbi transparencën e vendimmarrjeve qeveritare dhe mënyrën e menaxhimit të projekteve publike.
Qytetarët kanë thënë se lëvizja nuk do të ndalet dhe se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre kryesore. Sipas tyre, qëllimi është jo vetëm ndalimi i projektit të kundërshtuar, por edhe vendosja e një standardi më të lartë transparence dhe llogaridhënieje në proceset vendimmarrëse. Gjatë zhvillimit të protestave, deri tani nuk janë raportuar incidente dhe tubimet kanë qenë paqësore.
