
Mbingarkesa në punë është bërë një nga problemet më të përhapura. Ritmi i shpejtë, orët e gjata dhe presioni i vazhdueshëm për rezultate bëjnë që disa profesione të jenë më të ngarkuara sesa të tjerat.
Për disa njerëz, stresi është bërë shkatërrues, duke çuar edhe drejt urrejtjes së punës. Kjo njihet si burnout (mbingarkesë). Njerëzit e mbingarkuar mund të bëhen cinikë dhe më pak produktivë në punë.
Në një afat të gjatë, kjo mund të mos jetë e dobishme për vetë personin apo kompaninë. Mbingarkesa mund të sjellë probleme si: krisje në marrëdhëniet familjare, sindromën e lodhjes kronike, ankthin, depresionin, pagjumësinë, ose edhe abuzim me alkolin.
Cilat profesione rrezikohen më shumë?
Profesionet që rrezikohen më shumë nga mbingarkesa në punë janë: mësuesit, punonjësit e shëndetësisë, punonjësit e burgut dhe ata që punojnë në sektorin e shitjeve.
Po ashtu, edhe punonjësit në shërbimin e emergjencës, policia, mjekët, infermierët, punonjësit e urgjencës janë edhe më të rrezikuar pasi punojnë në kushtet e stresit të lartë. Një studim i kryer te 15 mijë mjekë amerikanë gjeti se 44% e tyre shfaq sindromën e “burnout”.
Ndërsa, një kërkim francez te personeli i urgjencës gjeti se një mjek në tre (34%) ndihej i mbingarkuar për shkak të kërkesave të mëdha për kujdes. Juristët janë një tjetër profesion që preket nga burnout.
Një studim i bërë tek 1000 punonjës në një firmë të njohur ligjore në Londër, gjeti se 73% e avokatëve thanë se ndiheshin të mbingarkuar dhe 58% shfaqën nevojën për një ekuilibër më të mirë mes jetës profesionale dhe asaj private.
