Muzika e tij vazhdon të dëgjohet, këngët e tij vazhdojnë të këndohen dhe emri i tij mbetet një nga më të dashurit për publikun shqiptar. Edhe pse Shpat Kasapi u nda nga jeta në nëntor të vitit të kaluar, duket se trashëgimia e tij artistike do të vazhdojë të jetojë përtej kohës.

Një lajm që ka prekur familjarët, miqtë dhe admiruesit e artistit është bërë publik së fundmi nga “Medium Music Publishing”, e cila ka vendosur ta përfshijë Shpat Kasapin në “The Circle of Immortals”, një nderim i veçantë që ruan dhe promovon veprën e artistëve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në muzikë.

Në dedikimin e publikuar nga kompania, Shpati cilësohet si një prej zërave më të dashur të muzikës moderne popullore shqiptare, një artist që përmes interpretimit, emocioneve dhe këngëve të tij u bë pjesë e kujtesës së disa brezave.

“Ndonëse ai nuk është më me ne, zëri i tij vazhdon të jetojë përmes këngëve, performancave dhe kujtimeve që la pas”, thuhet në mesazhin dedikuar këngëtarit.

Ky vlerësim i veçantë ka sjellë menjëherë reagimin e bashkëshortes së tij, Selvijes, e cila ka ndarë publikisht emocionet dhe mirënjohjen për këtë nismë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo falënderoi të gjithë ata që po kontribuojnë në ruajtjen e veprës dhe kujtimit të Shpatit.

“Faleminderit për ruajtjen e trashëgimisë artistike të Shpatit. Mirënjohëse pa fund”, shkroi Selvija.