Takimet me shefin shumë punonjës i trajtojnë si një formalitet i shpejtë, duke raportuar vetëm çfarë kanë bërë dhe duke e mbyllur bisedën shpejtë. Sipas ekspertes së karrierës Melody Wilding, njerëzit që ngjiten më shpejt në karrierë nuk i shohin këto takime si thjesht raportim pune.
Ata i përdorin për të treguar ndikimin e tyre, për të menduar në mënyrë strategjike dhe për të krijuar mundësi të reja rritjeje brenda kompanisë. Ja 5 fraza që mund të ndryshojnë mënyrën se si shefi ju sheh dhe mundësitë që ju hapen në punë:
1. “Po ndaj me ju progresin që nga takimi ynë i fundit”
Kjo frazë përdoret për të nisur takimin duke treguar qartë çfarë ke arritur dhe pse ka rëndësi puna jote. Në vend që të japësh thjesht një listë detyrash, ti lidh rezultatet me objektivat e kompanisë dhe ndikimin real që ato kanë.
Për shembull, në vend të një shprehje të thjeshtë si “po punojmë me klientë të rinj”, një mënyrë më profesionale do ishte: “Kemi kontaktuar 5 klientë të rinj dhe kemi siguruar 3 takime prezantuese, duke ecur sipas planit për objektivin e tremujorit.”
2. “Një gjë për të cilën do të doja mendimin tuaj është…”
Kjo frazë të ndihmon të tregosh se nuk je thjesht duke raportuar, por po mendon në mënyrë kritike dhe po kërkon zgjidhje. Ajo të pozicionon si një person proaktiv që merr iniciativë dhe nuk pret gjithçka të zgjidhet nga të tjerët.
Më e rëndësishmja është që kur sjell një problem, të mos e paraqesësh bosh, por të tregosh edhe çfarë ke provuar ose çfarë opsionesh po shqyrton, përpara se të kërkosh mendimin e shefit.
3. “Çfarë po dëgjoni nga drejtuesit e lartë?”
Shumica e punonjësve fokusohen vetëm te puna e tyre, por kjo frazë e zhvendos bisedën në një nivel më strategjik. Ajo të jep mundësi të kuptosh prioritetet e kompanisë, ndryshimet që po vijnë dhe pritshmëritë e drejtuesve. Gjithashtu, kjo është një mënyrë e mirë për të treguar interes dhe përfshirje më të thellë, duke ndërtuar një imazh si dikush që mendon përtej detyrave të përditshme dhe kupton drejtimin e organizatës.
4. “Do të më pëlqente të përfshihesha në këtë”
Kjo frazë është një mënyrë e thjeshtë, por shumë efektive për të treguar se je i/e gatshëm për më shumë përgjegjësi. Nuk është një kërkesë e drejtpërdrejtë për promovim, por një sinjal i qartë se je i interesuar të rritesh profesionalisht. Ajo mund të përdoret kur përmenden projekte të reja ose iniciativa të rëndësishme, duke treguar gatishmërinë tënde për të kontribuar në mënyrë më aktive.
5. “Për ta përmbledhur”
Kjo është një frazë që ndihmon në mbylljen e takimit në mënyrë të qartë dhe profesionale. Shumë probleme në punë lindin nga mungesa e qartësisë, prandaj përmbledhja e detyrave shmang keqkuptimet. Në vend që takimi të mbyllet me një "ok, flasim më vonë", ti siguron që të dy palët e dinë saktësisht çfarë pritet dhe kur duhet të ndodhë.
Në përgjithësi, këto fraza nuk kanë vetëm qëllim komunikimin e thjeshtë, por ndihmojnë të krijosh një imazh profesional më të fortë, të rrisësh dukshmërinë në punë dhe të hapësh rrugë për mundësi më të mëdha karriere.
