
Për herë të parë pas aksidentit të rëndë me motor që tronditi fansat e tij, Sinan Vllasaliu ka vendosur të ndajë detaje nga ngjarja që e detyroi të anulonte të gjitha angazhimet dhe të kalonte në një periudhë rikuperimi.
Këngëtari i njohur kosovar ka treguar se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash, në një moment kur nuk e kishte imagjinuar se një udhëtim i zakonshëm mund të përfundonte me pasoja serioze.
“Nuk di si ta shpjegoj saktësisht. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Kishte rënë pak shi, rruga ishte e rrëshqitshme dhe në një kthesë humba kontrollin. Nuk po lëvizja me shpejtësi të madhe, por kur je me motor, çdo shpejtësi mund të jetë e rrezikshme”, u shpreh ai.
Sipas artistit, vendimtar ka qenë reagimi i menjëhershëm i njerëzve që ndodheshin pranë tij në ato momente.
“Kam pasur fatin që pranë meje ndodhej një mik anesteziolog, i cili më ndihmoi menjëherë. Nëse nuk do të ishte ndërhyrë atë ditë, situata mund të kishte qenë shumë më serioze”, tregoi këngëtari.
Por përveç dhimbjeve fizike dhe ndërhyrjes kirurgjikale, aksidenti i mori edhe një moment që e kishte pritur prej muajsh. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, Sinan Vllasaliu nuk mundi të merrte pjesë në dasmën e Dua Lipës, një event ku ishte i ftuar dhe për të cilin gjithçka ishte organizuar shumë kohë më parë.
“Me Duan ishim takuar që në mars dhe çdo detaj ishte organizuar më herët. Ishte një nder i veçantë të ishe pjesë e një feste familjare të një artisteje që përfaqëson shqiptarët në mbarë botën”, tha ai.
Megjithatë, artisti zgjedh ta shohë gjithçka me qetësi dhe mirënjohje, duke pranuar se mbi çdo peng mbetet fakti që arriti t’i shpëtojë një situate që mund të kishte qenë shumë më e rëndë.
“Besoj se gjithçka ndodh për një arsye. I jam mirënjohës Zotit që ngjarja nuk pati pasoja më të rënda, edhe pse mbetet një peng që nuk munda të jem i pranishëm në atë dasmë”, u shpreh Vllasaliu.
Aktualisht, këngëtari po vazhdon procesin e rikuperimit dhe ka falënderuar publikisht të gjithë miqtë, kolegët dhe fansat që i kanë qëndruar pranë me mesazhe mbështetëse gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Pavarësisht pengut për mungesën në një nga ngjarjet më të komentuara të vitit, Sinan Vllasaliu duket i fokusuar te shëndeti dhe kthimi i tij sa më i shpejtë në skenë, aty ku publiku e pret gjithmonë me të njëjtën dashuri.
