Mbrëmja e fundit e “Post Ferma VIP” solli një nga momentet më të shumëpritura nga publiku, përballjen e parë mes Vanesës dhe Indrit pas përfundimit të aventurës së tyre në reality show.

Dyshja, e cila gjatë qëndrimit në fermë krijoi një afërsi të dukshme dhe një histori që u komentua gjerësisht nga publiku, u gjend për herë të parë përballë njëri-tjetrit pas ndarjes së bujshme që ndodhi në ekran.

Kujtojmë se gjithçka mori një kthesë të papritur pas eliminimit të Vanesës nga gara. Në një nga netët “Prime”, Indri deklaroi publikisht se nuk po e ndiente mungesën e saj dhe vendosi t’i jepte fund marrëdhënies, një moment që surprizoi jo vetëm publikun, por edhe vetë Vanesën.

Që prej asaj nate, ata nuk kishin pasur asnjë sqarim publik, deri në përballjen e mbrëmshme.

E pyetur për kontaktin që kishin pasur pas finales, Vanesa tregoi se kishte shkëmbyer vetëm pak fjalë me Indrin gjatë festës së organizuar pas mbylljes së spektaklit. Megjithatë, ajo tha se ajo bisedë e shkurtër mjaftoi për të kuptuar shumë gjëra.

“Kemi folur me Indrin në festë dhe kuptova që ai ishte shumë i ftohtë në logjikë, në gjërat që thoshte. Ai s’paska pasur pikë ndjenje gjatë gjithë asaj periudhe”, u shpreh Vanesa.

Deklarata e saj la të kuptohej se zhgënjimi vazhdon të jetë i madh dhe se, sipas saj, ndjenjat që ajo kishte besuar se ekzistonin gjatë qëndrimit në fermë nuk kanë qenë të ndërsjella.

Nga ana tjetër, Indri pranoi se kishte gabuar në mënyrën se si e menaxhoi situatën pas largimit të Vanesës, por mohoi kategorikisht që Klevisa të kishte pasur ndikim në prishjen e raportit të tyre.

Përballja mes tyre u ndoq me interes të madh nga publiku, ndërsa reagimet në rrjetet sociale nuk munguan. Shumë ndjekës e cilësuan momentin si një nga më emocionalët e “Post Ferma VIP”, duke komentuar se historia mes Vanesës dhe Indrit duket se ka marrë fund përfundimisht.

Megjithatë, pavarësisht sqarimeve të dhëna, mbeten ende shumë pikëpyetje rreth asaj që ndodhi realisht mes tyre pas daljes nga formati, një histori që vazhdon të zgjojë kureshtjen e publikut edhe pas përfundimit të spektaklit.