Djali 9-vjeçar i Liam Payne, Bear, do të trashëgojë pothuajse 28 milionë dollarë nga pasuria e babait të tij, pas ndarjes tragjike nga jeta të ish-anëtarit të grupit One Direction.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga TMZ, Bear, të cilin Payne e kishte me ish-partneren Cheryl Cole, është përcaktuar si përfituesi i vetëm i pasurisë së këngëtarit.

Një pjesë e parave mund të përdoret që tani për nevojat e tij, ndërsa pjesa më e madhe do të mbahet në një fond kujdestarie deri në momentin kur ai të mbushë 18 vjeç.

Liam Payne nuk kishte lënë një testament përpara ndarjes nga jeta. Për këtë arsye, Cheryl Cole dhe avokati i industrisë muzikore Richard Bray u emëruan administratorë të pasurisë së tij.

Megjithatë, roli i tyre kufizohet në mbledhjen, administrimin dhe mbrojtjen e aseteve të lëna nga ylli i ndjerë i muzikës pop.

Payne u nda nga jeta në tetor të vitit 2024, në moshën 31-vjeçare, pas një incidenti fatal në një hotel në Buenos Aires të Argjentinës.

Hetimet e zhvilluara pas ngjarjes zbuluan se këngëtari kishte konsumuar alkool dhe disa substanca përpara vdekjes së tij.

Në shkurt të vitit 2025, akuzat ndaj tre prej pesë personave të përfshirë fillimisht në çështje u rrëzuan. Mes tyre ishin miku i Payne, Rogelio “Roger” Nores, dhe dy punonjës të hotelit CasaSur Palermo.

Ndërkohë, Ezequiel Pereyra dhe Braian Paiz, të akuzuar se i kishin shitur këngëtarit kokainë, vijojnë të presin gjykimin.

Liam Payne dhe Cheryl Cole u bënë prindër të Bear në vitin 2017. Edhe pse lidhja e tyre përfundoi një vit më vonë, Payne kishte folur vazhdimisht me dashuri për të birin, duke u përpjekur ta mbante atë larg vëmendjes së tepërt mediatike.

Tashmë, pasuria e tij do të ruhet për të ardhmen e Bear, i cili është trashëgimtari i vetëm i asaj që këngëtari ndërtoi gjatë karrierës së tij ndërkombëtare.