
Holanda ka regjistruar për herë të parë një rast eutanazie te një fëmijë nën moshën 12 vjeç, duke shënuar zbatimin e parë të legjislacionit të ri që hyri në fuqi dy vite më parë.
Lajmi është konfirmuar nga ministrja holandeze e Shëndetësisë, Sophie Hermans, e cila bëri të ditur se procedura është kryer në fund të vitit të kaluar për një fëmijë që vuante nga një sëmundje terminale dhe përballej me dhimbje të rënda e të pashërueshme.
Autoritetet nuk kanë bërë publike identitetin e të miturit, por kanë sqaruar se rasti plotësonte të gjitha kushtet e përcaktuara nga ligji. Sipas legjislacionit holandez, eutanazia për fëmijët e moshës nga 1 deri në 12 vjeç mund të kryhet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, kur vuajtjet konsiderohen të padurueshme dhe nuk ekziston asnjë mundësi reale për përmirësim të gjendjes shëndetësore.
Procedura kërkon pëlqimin e prindërve dhe vlerësimin e disa specialistëve mjekësorë, të cilët duhet të konfirmojnë se të gjitha alternativat terapeutike janë shteruar.
Ministrja Hermans bëri të ditur se rasti është shqyrtuar nga komisioni i posaçëm që monitoron zbatimin e ligjit. Ky komision ka analizuar dokumentacionin mjekësor dhe ka zhvilluar konsultime me ekipin që ka ndjekur pacientin, ndërsa përfundimet i janë dorëzuar prokurorisë për verifikimet përkatëse ligjore.
Kur rregullorja u miratua në vitin 2024, autoritetet holandeze parashikuan se raste të tilla do të ishin shumë të rralla, me një mesatare prej pesë deri në dhjetë procedurash në vit. Ligji u hartua për fëmijët që ndodhen në fazat e fundit të jetës dhe për të cilët mjekësia nuk mund të ofrojë më lehtësim të mjaftueshëm të dhimbjeve.
Para këtij ndryshimi ligjor, Holanda lejonte eutanazinë vetëm për foshnjat nën një vjeç në rrethana të veçanta dhe për të miturit mbi 12 vjeç, duke lënë jashtë mbrojtjes ligjore grupmoshën nga 1 deri në 12 vjeç.
Holanda mbetet vendi i parë në botë që legalizoi eutanazinë dhe vetëvrasjen e asistuar nga mjeku në vitin 2002. Megjithatë, çdo rast i tillë trajtohet individualisht dhe i nënshtrohet kontrolleve të rrepta mjekësore dhe juridike.
Rasti i fundit pritet të rikthejë debatin etik dhe ligjor mbi eutanazinë te të miturit, një nga temat më të ndjeshme dhe më të diskutueshme në sistemet shëndetësore dhe juridike në mbarë botën.
