Modelja Bella Hadid ka folur hapur për ndikimin emocional dhe fizik që sëmundja kronike Lyme, vazhdon të ketë në jetën e saj.

Modelja 29-vjeçare publikoi një seri postimesh në Instagram, ku rrëfeu se po kalon një tjetër përkeqësim të gjendjes së saj shëndetësore. Ajo e nisi me një mesazh të gjatë, ku shpjegoi se sa e vështirë është të përshkruajë dhimbjen, rraskapitjen, ankthin, mjegullimin e mendjes, infeksionet dhe traumat që përjeton, të cilat, sipas saj, shpesh çojnë në izolim të thellë dhe depresion, sidomos kur zgjasin për një kohë të gjatë.

"Sidomos kur provon gjithçka që mundesh. Kërkon përgjigje që askush nuk t'i jep dot. Lufton. Më në fund ke disa ditë të mira. Mendon se ke gjetur trajtimin, rutinën dhe mënyrën e duhur dhe më pas gjithçka rikthehet. Papritur asgjë nuk duket më e sigurt", thota ajo.

Ajo shpjegoi se për shkak të këtyre periudhave detyrohet të anulojë plane dhe nuk mund të marrë vendime, sepse nuk e di kurrë si do të zgjohet ditën tjetër.

"Zgjohesh me ankthin që tashmë jeton në trupin tënd. Ndjen dhimbje fizike para se këmbët të prekin dyshemenë dhe megjithatë duhet të gjesh forcën për ta kaluar edhe një ditë tjetër me një trup dhe një mendje krejtësisht të rraskapitur", thotë ajo.