Shumë të rinj të brezit Millennials e kanë pasur më shumë frikë “rritjen” dhe hyrjen në moshën e rritur krahasuar me brezat e mëparshëm. Por, kjo frikë ulet me kalimin e viteve, sipas një studimi të publikuar nga American Psychological Association (APA).

Studimi i botuar në revistën Developmental Psychology analizoi si ndryshon “frika nga pjekuria” frika për t’u rritur dhe dëshira për t’u kthyer në sigurinë e fëmijërisë tek studentët e kolegjit midis viteve 1982 dhe 2002, dhe më pas te të njëjtat grupe 20 vite më vonë.

Në përgjithësi, studiuesit gjetën se brezat më të rinj të studentëve kishin më shumë frikë nga rritja sesa brezat e mëparshëm. Megjithatë, te të gjitha gjeneratat, kjo frikë ulej ndërsa njerëzit rriteshin.

“Gjetjet tona sugjerojnë se frika për tu rritut nuk është domosdoshmërisht e pandryshueshme, ajo duket se zvogëlohet ndërsa njerëzit fitojnë përvojë në rolet dhe përgjegjësitë e të rriturit,” tha autorja e studimit April Smith nga Auburn University.

Studimi analizoi të dhëna nga rreth 1,200 studentë. Pjesëmarrësit u pyetën për deklarata si: “Do të doja të kthehesha në sigurinë e fëmijërisë” dhe “Koha më e lumtur në jetë është fëmijëria”.

Rezultatet treguan se studentët e vitit 2002 (millennials) kishin nivele më të larta të kësaj frike sesa ata të vitit 1992 (Generation X), ndërsa këta të fundit më shumë se ata të vitit 1982 (baby boomers).

Kur u pyetën sërish 20 vite më vonë, frika kishte rënë te pothuajse të gjitha grupet, duke u bërë më e ngjashme mes brezave në moshë të mesme. Sipas studiuesve, kjo mund të ndodhë sepse me kalimin e kohës njerëzit fitojnë siguri financiare dhe përvojë për përballimin e përgjegjësive të jetës së të rriturit.

Pyetja kryesore që mbetet e hapur është pse brezat më të rinj kanë më shumë frikë nga rritja. Studiuesit sugjerojnë faktorë si pasiguria ekonomike, presionet sociale, ndryshimet klimatike, pandemia Covid-19 dhe ndikimi i rrjeteve sociale.