
Ka disa gjëra që koha nuk i zbeh kurrë: rrënjët, tradita dhe kujtesa mbi vlerat, që një komb mbart. Shqipëria ka shumë për të treguar nga historia dhe traditat e saj, e cila ruhet tek monumuntet e kulturës, tek qytetet e vjetra, tek zakonet e po aq edhe tek kostumet popullore, të krahinave të ndryshme.
Një pjesë e mirë e këtyre kostumeve, këtë verë, po vijnë në vëmendje të njerëzve, përmes një fushate shumë interesante e unike: “Veshur me traditë”, që ka si qëllim pikërisht rikthimin tek vlerat e tek bukuritë e traditës shqiptare.
Nëse një vit më parë kjo rikujtesë u bë përmes historisë e bukurisë së qyteteve të bukura shqiptare, këtë vit Lufra ka zgjedhur të flasë përmes produkteve të saj, për kostumet e bukura popullore shqiptare.


Në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë, Lufra po sjell një përzgjedhje të pasur të veshjeve tradicionale nga treva të ndryshme shqiptare, duke ndërtuar një urë mes së shkuarës dhe së tashmes.
Nga Gjirokastra me elegancën e fustanellës dhe çitjaneve të qëndisura me fije ari, tek Lunxhëria ku ndihen qartë ndikimet qytetare në xhybet dhe mantot festive, çdo veshje mbart historinë dhe stilin e jetës së komuniteteve shqiptare ndër shekuj.
Në Përmet, veshjet dallohen për finesën dhe përdorimin e materialeve cilësore si mëndafshi dhe atllasi, ndërsa në Elbasan spikat “veshja shqiptarçe” me dimi dhe xhybe karakteristike, që pasqyron traditën orientale të Shqipërisë së Mesme.


Po aq të veçanta janë edhe veshjet e Malësisë së Tiranës, Zadrimës dhe Malësisë së Madhe, ku elementë si brekushet, koretë dhe sidomos Xhubleta dëshmojnë mjeshtërinë artizanale dhe trashëgiminë e pasur kulturore. Xhubleta, tashmë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO, mbetet një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit shqiptar.
Fushata përfshin gjithashtu veshjet çame dhe ato të Rrafshit të Dukagjinit në Kosovë, duke treguar se kultura shqiptare shtrihet përtej kufijve administrativë dhe ruan një unitet të fortë në larmi.
Kjo fushatë u lançua në ambjentet e “Albania Night”, mes ritmeve të këngëve dhe valleve popullore, artistëve të veshur e stolisuar me kostumet tradicionale, mes sofrave të shtruara me ushqimet karakteristike të zonave të ndryshme, e në prezencën e personazheve të njohur publik, që u bënë pjesë e kësaj eksperience motivuese.

“Veshur me traditë” është vazhdimësia e një rrugëtimi që Lufra po vijon, për promovimin e identitetit shqiptar, për edukimin e të rinjve me historinë e vlerat që të parët tanë na kanë lënë trashëgimi, për përcjelljen e kësaj tradite tek turistët që zgjedhin Shqipërinë, pikërisht për bukuritë dhe historinë.
“Veshur me traditë” është një tjetër kujtesë se rrënjët tona janë gjithmonë aty.
