Pirja e kafesë lidhet me rreziqe më të ulëta të cirrozës, kancerit të mëlçisë dhe vdekjes nga sëmundjet e mëlçisë, sipas një studimi të ri.

Gjetjet, të publikuara në revistën Clinical Gastroenterology and Hepatology, tregojnë se konsumimi i kafesë lidhet me një probabilitet më të ulët të cirrozës, kancerit të mëlçisë dhe vdekjeve të lidhura me mëlçinë.

Studiuesit analizuan mbi 350,000 pjesëmarrës nga UK Biobank, të cilët nuk kishin cirrozë ose kancer të mëlçisë në fillim të studimit dhe i ndoqën për 13 vjet.

Ata zbuluan se ata që pinin pesë ose më shumë filxhanë kafe në ditë kishin 32% rrezik më të ulët për cirrozë, 47% më pak shanse për kancer të mëlçisë dhe 42% ulje të vdekjeve nga sëmundjet e mëlçisë.

Një studim i vitit 2023 zbuloi se sëmundjet e mëlçisë shkaktojnë rreth dy milionë vdekje në vit, që përbëjnë 4% të totalit global. Rreth dy të tretat e këtyre vdekjeve ndodhin te burrat.

Pjesëmarrësit që pinin më shumë kafe kishin gjithashtu nivele më të ulëta të yndyrës në mëlçi, hekurit në mëlçi, fibrozës dhe inflamacionit të mëlçisë.

Analizat e gjakut të konsumuesve të kafesë treguan nivele më të larta të proteinave të lidhura me funksion të shëndetshëm të mëlçisë dhe nivele më të ulëta të atyre që lidhen me dëmtim dhe inflamacion.

“Gjetjet tona mbështesin konsumimin e moderuar të kafesë për njerëzit që e pëlqejnë dhe e tolerojnë mirë atë,” tha autori kryesor i studimit, Ju Dong Yang.

“Megjithatë, ne nuk do të rekomandonim që dikush të fillojë të pijë kafe vetëm për mbrojtje të mëlçisë bazuar vetëm në këtë studim,” shtoi ai.

Si kafeja me kafeinë ashtu edhe ajo pa kafeinë treguan lidhje të ngjashme, duke sugjeruar se përfitimet nuk lidhen vetëm me kafeinën.

Sipas autores së studimit, Shelly Lu, kafeja ndikon në shëndetin e mëlçisë përmes inflamacionit dhe dëmtimit të indeve, duke hapur rrugë për kërkime të ardhshme për të parë kush përfiton më shumë.

Lidhja më e fortë u pa me rreth tre deri në katër filxhanë në ditë; megjithatë edhe konsumimi i moderuar një deri në dy filxhanë në ditë lidhej me rrezik dukshëm më të ulët të sëmundjeve të mëlçisë.

Don Yang theksoi se parandalimi duhet të fokusohet ende te mbajtja e një peshe të shëndetshme, kufizimi i alkoolit, ushtrimet e rregullta dhe menaxhimi i sheqerit në gjak, tensionit dhe kolesterolit.

Konsumi i lartë i kafeinës mund të shkaktojë rrahje të shpejta të zemrës, palpitacione, tension të lartë, ankth dhe çrregullime të gjumit.

Në përgjithësi, sasia e konsideruar e sigurt për shumicën e të rriturve është deri në 400 miligramë kafeinë në ditë rreth katër filxhanë kafe.