Cristiano Ronaldo ka konfirmuar zyrtarisht se Kampionati Botëror 2026 do të jetë turneu i fundit i tij me fanellën e Portugalisë. Sulmuesi 41-vjeçar e bëri të ditur vendimin në konferencën për shtyp para ndeshjes së 1/8 së finales ndaj Spanjës.

“Le të jetë ky Botërori im i fundit. Ky është Botërori im i fundit dhe shpresoj që ndeshja e nesërme të mos jetë e fundit për mua”, deklaroi Ronaldo.

Kapiteni i Portugalisë, golashënuesi dhe lojtari me më shumë paraqitje në historinë e kombëtares tha se largohet me ndërgjegje të pastër, pavarësisht se si do të përfundojë ky turne. “Çfarëdo që të ndodhë, unë largohem me ndërgjegje të pastër. Jo 100 për qind, por 1000 për qind, sepse kam dhënë gjithçka për futbollin dhe për Portugalinë”, u shpreh ai. Ronaldo theksoi se fitimi i Kupës së Botës nuk do ta ndryshojë mënyrën se si e sheh veten.

“Nuk do të jem më shumë Cristiano nëse e fitoj Botërorin dhe as më pak Cristiano nëse nuk e fitoj. Zoti më ka dhënë më shumë sesa kam ëndërruar ndonjëherë.” Pesë herë fituesi i Topit të Artë nuk i kurseu as komentet për kritikët e tij, duke deklaruar me humor se prej më shumë se dy dekadash janë përpjekur ta “eliminojnë” nga futbolli. “Për 23 vjet jeni përpjekur të më ‘vrisni’, por e keni kuptuar se nuk ia vlen. Kritikat më kanë bërë më të fortë dhe për këtë ju falënderoj", tha ai.