Lien De Pau, themeluese e "The Big Exit", thotë se gabimi më i madh që bëjnë shumë sipërmarrës është se ndërtojnë një biznes që nuk mund të funksionojë pa ta.

Kur biznesi varet vetëm nga themeluesi

Nga jashtë, kompania e Sarës dukej e suksesshme. Kishte një ekip prej 20 personash, klientë besnikë dhe të ardhura në rritje.

Por çdo mëngjes e prisnin dhjetëra mesazhe. Çdo vendim, nga kontratat me klientët deri te postimet në rrjetet sociale, përfundonte në tavolinën e saj.

Me kalimin e viteve, ekipi kishte krijuar një zakon të thjeshtë: "Pyet Sarën fillimisht." Kjo situatë njihet si "kurthi i varësisë nga themeluesi" (Founder Dependency Trap).

Askush nuk planifikon të ndërtojë një biznes që nuk funksionon pa të, por kjo ndodh gradualisht. Një ditë kupton se nuk drejton më një biznes, por ke krijuar një punë shumë të lodhshme për veten.

Lajmi i mirë është se ky nuk është problem personaliteti, por një problem në mënyrën si është ndërtuar biznesi. Pse bien në këtë kurth edhe sipërmarrësit më të aftë?

1. Identiteti

Për shumë pronarë biznesi, kompania nuk është thjesht puna e tyre, por pjesë e identitetit. Të qenit personi që ka gjithmonë përgjigjen krijon ndjesinë se je i domosdoshëm. Por një biznes që mbështetet vetëm te prania e themeluesit nuk mund të rritet.

2. Shpejtësia

Në fillim është më e shpejtë ta bësh gjithçka vetë. Trajnimi i dikujt tjetër kërkon kohë, ndaj pronarët zgjedhin ta kryejnë vetë punën. Më pas kjo bëhet zakon dhe me kalimin e kohës nuk dinë të funksionojnë ndryshe.

3. Mungesa e besimit

Shumë sipërmarrës besojnë se askush nuk mund ta bëjë punën aq mirë sa ata. Por ka ndryshim mes ruajtjes së standardeve dhe kthimit në pengesën kryesore të biznesit. Nëse çdo vendim kërkon miratimin e pronarit, nuk kemi më kontroll cilësie, por një problem strukturor që pengon rritjen. Një ekip i trajnuar mirë zgjidh problemet pa pasur nevojë për ndërhyrjen e vazhdueshme të themeluesit.

Pse ky gabim kushton shumë?

Edhe nëse nuk ju shqetëson të punoni gjatë gjithë kohës, një ditë mund të dëshironi të shisni biznesin ose të tërhiqeni. Blerësit nuk shohin vetëm fitimet. Ata pyesin: "Çfarë ndodh me kompaninë nëse pronari largohet?"

Nëse përgjigjja është se biznesi ndalon së funksionuari, kjo ul ndjeshëm vlerën e tij. Shumë sipërmarrës me kompani që gjenerojnë miliona euro kanë marrë oferta shumë më të ulëta pikërisht sepse biznesi varej plotësisht prej tyre.

Ndërsa kompani më të vogla janë shitur me vlera më të larta, sepse funksiononin edhe pa praninë e përditshme të themeluesit.

Dallimi nuk ishte madhësia e biznesit, por pavarësia e tij.

Si e zgjidhi ajo problemin?

Ndryshimi nuk ndodhi brenda natës. Fillimisht, Sara kaloi një javë duke regjistruar çdo vendim që merrte. Në fund të javës, i ndau në tre kategori: vendime që vetëm ajo mund t'i merrte; vendime që mund t'i merrte dikush tjetër pas trajnimit; vendime që nuk duhej të mbërrinin fare tek ajo.
Rezultati ishte befasues: më pak se 20% e punës kërkonte vërtet përfshirjen e saj.

Kjo u bë pika e nisjes. Ajo punësoi një drejtor operativ (COO); dokumentoi proceset e shitjes që deri atëherë i kishte vetëm në mendje; krijoi një ekip drejtues që merrte vendime edhe pa praninë e saj.
Procesi zgjati rreth 18 muaj.

Gjatë kësaj kohe pati gabime, por ajo zgjodhi të mos ndërhynte vazhdimisht, duke i lënë ekipit hapësirë të mësonte dhe të fitonte pavarësi. Nëse biznesi nuk mund të funksionojë pa ju, atëherë nuk keni ndërtuar ende një aset të pavarur. Pyetja që çdo sipërmarrës duhet t'i bëjë vetes është:

"Nëse nesër do të largohesha për një muaj, a do të vazhdonte biznesi të funksiononte?" Nëse përgjigjja është "jo", atëherë është koha të filloni të delegoni përgjegjësi, të dokumentoni proceset dhe të ndërtoni sisteme që e bëjnë kompaninë të pavarur.

Në fund të fundit, qëllimi nuk është vetëm të krijoni një biznes fitimprurës, por një biznes që ju jep lirinë për të jetuar jetën tuaj.