
Çdo organizatë ka një person që e thërrasin kur shifrat nuk dalin, kur palët e interesuara nuk janë të kënaqura, kur morali i ekipit është i ulët ose kur një prezantim i rëndësishëm rrezikon të dështojë.
Pa u menduar gjatë, të gjithë i drejtohen atij personi që gjithmonë e shpëton situatën. Ai rregullon tabelat e të dhënave, qetëson tensionet, rrit moralin e ekipit, rishikon shpejt një prezantim dhe gjen një zgjidhje edhe në momentet më të vështira.
I thonë se “pa ty do të ishim të humbur”, por kur vjen koha e promovimeve, ai anashkalohet përsëri. Ky person nuk u ndëshkua për performancë të dobët; ai po paguan atë që quhet “taksa e kompetencës”.
Çfarë është “taksa e kompetencës”?
Për punonjësit me performancë të lartë ekziston një kosto e fshehur në karrierë, kur të qenit “personi i besueshëm” bëhet i gjithë identiteti i tyre. Sepse ata gjithmonë japin rezultate, shpërblimi për punën e mirë bëhet më shumë punë, në vend të mundësive strategjike ose një promovimi.
Pse ndodh kjo?
Drejtuesit përpiqen të ulin pasigurinë dhe kaosin. Kur e dinë se kanë dikë që gjithmonë arrin të përmbushë detyrat nën presion, ata i drejtohen sërish të njëjtit person sa herë që shfaqet diçka urgjente apo e rëndësishme. Me kalimin e kohës, aftësia dhe kompetenca kthehen në një pritshmëri një pritshmëri që nuk u kërkohet domosdoshmërisht të tjerëve.
Sa më i mirë të bëhesh në punën që bën sot, aq më e vështirë bëhet që të tjerët të të shohin në një rol tjetër. Shumë prej tyre kënaqen duke zgjidhur probleme të vështira që askush tjetër nuk arrin t’i zgjidhë. Për ta, është një sfidë që duhet kapërcyer.
Ata thonë “po” sepse duan të ndihmojnë, edhe kur kjo vjen në dëm të tyre. Marrin kënaqësi nga fakti që janë të besueshëm dhe, duke besuar se “puna e mirë flet vetë”, rrallëherë promovojnë arritjet e tyre. Kur lind një problem, të gjithë e dinë se kujt duhet t’ia besojnë. Dhe kështu cikli vazhdon.
Por, cilat janë 4 shenjat që po paguan “taksën e kompetencës”:
1. Je personi i parë që thërrasin kur diçka shkon keq
Të besojnë për të zgjidhur çdo problem, të madh apo të vogël, por të shohin kryesisht si personin që ekzekuton, jo si dikë që kontribuon në strategji.
2. Përgjegjësitë e tua rriten, por ndikimi yt jo
Të kërkohet gjithmonë të marrësh më shumë detyra, por pa autoritetin që duhet të shoqërojë këto përgjegjësi.
3. Të lavdërojnë vazhdimisht
Të thonë se je shumë i vlefshëm për ekipin dhe organizatën. Por pikërisht kjo vlerë në pozicionin aktual mund të bëhet arsyeja pse nuk ecën përpara.
4. Bën punë urgjente
Ti zgjidh probleme, mbështet të tjerët dhe shuan situata kritike. Ndërkohë, dikush tjetër prezanton para drejtuesve, ndërton marrëdhënie dhe ndikon në vendimmarrje. Kompetenca është një nga mënyrat më të shpejta për të ndërtuar reputacion. Çdo organizatë dëshiron një punonjës tek i cili mund të mbështetet.
Por reputacioni i mirë nuk garanton gjithmonë rritje në karrierë. Qëllimi nuk është të bëhesh më pak i besueshëm. Qëllimi është të sigurohesh që besueshmëria jote të krijojë mundësi, jo kufizime. Punonjësit me performancë të lartë nuk promovohen vetëm sepse bëjnë punë të shkëlqyer. Ata ecin përpara kur të tjerët kuptojnë vlerën dhe ndikimin e punës së tyre dhe e lidhin atë drejtpërdrejt me kontributin e tyre.
