Vitet e fundit Anri Sala ka gjetur rrugën për te shqisat e publikut ndërkombëtar para të cilëve ka shfaqur ekspozita të suksesshme në Evropë apo SHBA, por edhe për te shqisat e publikut shqiptar, ku ka mbërritur suksesi i Salës, por nesër, ai vjen në Shqipëri për të prezantuar para publikut një grup punimesh që ka krijuar gjatë veprimtarisë së tij artistike dhe për të diskutuar mbi motivet që e shtyjnë në krijimtarinë e tij.

Anri Sala ka lindur në Tiranë në vitin 1974. Aktualisht jeton dhe punon në Berlin. Ndër ekspozitat personale mund të veçojmë: 2016 New Museum, New York “Anri Sala: Answer Me”. 2014 Haus der Kunst “The present moment”, Munich, Gjermani. 2013 La Biennale di Venezia ku ka përfaqësuar Francën me “Ravel Ravel Unravel”, 2011 Museé d’Art Contemporain Montreal, Quebec, Kanada. 2005 Fondazione Nico- la Trussardi “Long Sorrow” Milano, Itali.

Ndër ekspozitat e shumta kolektive mund të përmendim: 2015 “12th Havana Bien-nial” Havana, 2014 Fondazione Prada “Art or Sound” Venezia, Itali, 2013 The National Museum of Modern Art “ Reading Cinema, finding ëorks: Art after Marcel Broodthaers” Kyoto, Japoni; 2011 National Museum of Contemporary Art “ Art of Communication” Seoul, Kore; 2010 Jeu de Paume “ Faux Amis / An Ephemeral, Video Library” Paris, France; 2007 Museé National d’Art Moderne, Centre Pompidou “Airs de Paris” Paris, France.

Eshte fitues i disa çmimeve si: 2014 The Vincent Award 2014, The Hague, The Netherlandas; 2001 La Biennale di Venezia “Young Artist Prize” Venezia, Italia.

Në bisedën e tij në Art House, shkruhet në tekstin e këtij eventi në Facebook, ai do të përqendrohet në interesin për gjestin, shprehitë koreografike dhe lëvizjet trupore. Gjatë prezantimit, do të shfaqen pjesë nga punët e tij: Intervista, Nocturnes, Uomoduomo, Naturalmystic, Time after Time, Long Sorrow, 1395 Days without Red, Ravel Ravel dhe Unravel.

Për bisedën e tij në Art House artisti shkruan:

“Në krijimtarinë time kam ndeshur një interes të veçantë për gjestin, qoftë kur ai shfaqet si reagim fizik ndaj një situate apo rrethane imediate, apo si një element komunikues – ndonëse jo gjuhësor apo verbal – nëpërmjet të cilit trupi "mban mend" dhe kultivon një aftësi të veçantë për të kujtuar një periudhë të caktuar në kohë. Trupi mishëron nëpërmjet gjestit, lëvizjeve apo shprehive të tij koreografike memorien e tij, duke përcjellë të shkuarën, impaktin, mbresat dhe gjurmët e saj në të tashmen. Në këtë kuptim gjestet janë gjurmë të së shkuarës, të cilat nuk janë prezervuar nga procese natyrore sikurse fosilet apo gjetjet arkeologjike, por nga aftësia e qenies sociale nëpërmjet trupit të saj për të kujtuar dhe mos harruar.

Natyra e këtyre gjesteve, shprehive koreografike apo lëvizjeve trupore, merr një kuptim edhe më të plotë në situata tranzicioni, kur zhvillime politike apo sociale provokojnë një thyerje në besim apo ideologji, duke nxjerrë nga binarët shtyllat e botëkuptimit (common-sense) të shoqërisë dhe ndërprerë rrjedhën familjare të gjërave apo sistemin ekzistues të vlerave. Duke tejkaluar limitet e gjuhës, trupi i individit dhe i shoqërisë gjen nëpërmjet gjesteve, lëvizjeve dhe shprehive koreografike, aftësinë që të procedojë, memorizojë dhe kapercejë këto momente thyerjesh, pështjellimi politik dhe çrregullimi social, duke krijuar rrugë alternative për të trashëguar historinë e vet”.

Takimi “Memoria e trupit” do të zhvillohet më datë 7 korrik në ora 19.00 në Art House, Rruga At Shtjefën Gjeçovi, 15, në Shkodër.