Nuk mund të rrinte në heshtje as natën e parë të spektaklit Robert Aliaj. Me natyrën e tij shpërthyese, mbrëmjen e sotme ka përfituar nga rasti për t’u vërsulur kundër politikanëve dhe korrupsionit që, sipas tij, prodhohet çdo ditë në parlamentin shqiptar. Në dukje, një shpërthim i zakonshëm i Bertit, në fakt këtë herë ishte më shumë se kaq. Pasi ka vlerësuar performancën e sotme të Nard Ndokës dhe Greta Koçit, Berti ka vlerësuar më së shumti kurajën e ish-ministrit të Shëndetësisë në skenën e DWM dhe nëpërmjet tij, ka goditur të gjithë ata politikanë që sallën e Parlamentit e kanë kthyer “në një bordello”.

Me një lumë akuzash kundër parlamentarëve, Berti tha se do të donte ta hidhte në erë të gjithë godinën e Parlamentit që ka brenda saj njerëz të zhytur në korrupsion, por në pamundësi të kësaj, ai ngriti zërin kundër të gjithë atyre që e kanë nëpërkëmbur këtë popull. Me gjithë notat e kritikës dhe gjuhën e ashpër, Nard Ndoka, “shenjestra” e sulmit të Bertit, tha se e kupton mjaft mirë atë, por arti është krejt e kundërta e politikës dhe synon gjithmonë të jetë pozitiv: “Ndaj edhe unë kam pranuar të jem këtu”, – pohoi kreu i PDKS-së.
