Ka shumë mundësi, që nëse ndodheni në shtëpi, keni në sfond zhurmën e lavatriçes. Aq më mirë nëse lavatriçja juaj jua kursen këtë efekt anësor. Po pse vallë, edhe kur e diela nuk është më sa dikur dita e punëve të shtëpisë dhe sidomos, për fat, nuk është dita e dushit të familjes, lavatriçja, pavarësisht gjithë ditëve kur ndizet gjatë javës, të dielën rrallë e bën pushim? Ndikon rutina e krijuar tashmë, por ka edhe disa arsye të tjera, që do jua bëjnë më të thjeshtë të kuptoni, nëse do jeni ndonjëherë të shtrirë në divan e duke shpikur pyetje si kjo: po kjo lavatriçja pse po punon prapë?

Të dielën jeni më gjatë në shtëpi dhe keni kohë që të ndiqni gjithë procesin, për të shtuar ndoshta zbutësin më vonë, për ta hapur në kohë dhe për t’i nderur rrobat.

Dhe meqë jemi te nderja, të dielën ju keni mundësi që t’i nderni gjatë orëve me diell.

Të dielave bëhen punë të tipit ndërrim çarçafësh, apo shtrohen tryeza më të mëdha dreke, që krijojnë më shumë mbulesa e peceta të palara dhe prandaj lavatriçja duhet të fillojë të bëjë pjesën e saj të punës.

Të dielave shtohen edhe aktivitetet në natyrë, vrapi, loja e futbollit, shëtitjet pak eksploruese dhe në kthim të gjithë duhet të heqin rrobat që më mirë sesa në koshin që nuk i mban, do ishin në lavatriçe ku lahen.

Të dielave mendon çfarë do veshësh javës tjetër ti apo të tjerët në shtëpi dhe me siguri të paktën një nga veshjet do doje ta përsërisje, prandaj i gjen dhe ca shoqëruese dhe ndez lavatriçen.