Kur e sheh për herë të parë Arindën, të duket sikur ka ardhur aty nga ndonjë vend i largët e i panjohur ku banojnë njerëz me një energji e freski ndryshe. Por, njëkohësisht, ndien që karrigia ku është ulur, është e saja, ka qenë gjithmonë aty, duke e pritur një vajzë si ajo, të talentuar, moderne, të qeshur, krejt natyrale si t’i donte vitet ’80 aq sa thuhet në spilën e saj.

Në të vërtetë, nuk është aq e panjohur Arinda Gjoni, një nga konkurrentet e reja të Your Face Sounds Familiar 2 që do të nisë së shpejti në TvKlan. Në 2015-ën, ka marrë pjesë në Këngën Magjike me baladën “Mëkatarët nuk ndryshojnë”, një këngë që nuk u kualifikua në finale, “një nga pengjet”, e Ardit Gjebreas, siç do i thoshte producenti më vonë, por që mbeti në mendjen e të gjithëve që e ndoqën atë edicion. Ndërkaq, në Youtube gjen tri këngë të saj, më moderne, më ritmike e ku Arinda është njëlloj e natyrshme, sikur të mos ishte e njëjta këngëtare që interpreton me aq ndjenjë baladën.

“Shumë nga kolegët ma thonë që habiten sesi unë i jap karakterin e vet çdo zhanri, sepse, në të vërtetë, edhe fizikisht, nga ana e kordave, është shumë e vështirë që një këngëtar të këndojë njëlloj populloren, muzikën pop, baladat, klasiken, por ja që e kam këtë dhunti”, thotë ajo. Mendon që ndihet më mirë në ritmet “moderne, dinamike”, por shumë shpejt përmendë edhe “dashurinë për baladat”, por edhe “dobësinë për populloren”…me pak fjalë, të gjitha.

Foto: Endrit Mertiri, Floket dhe grimi: Suela Cangu

Megjithatë ka një mospërputhje mes talentit të saj dhe njohjes në publik. Për Arindën kjo ka një shpjegim. “Unë nuk kam dashur kurrsesi që të bëhem e njohur me çdo kusht, që të përdor gjithçka, mjaft që të më dëgjohet emri. Unë i kam zgjedhur daljet dhe gjithmonë kam dashur që të jem unë, jo një imitim”, thotë Arinda. Megjithatë, edhe pse nuk bën pjesë në këngëtaret më të njohura shqiptare, Arinda është një këngëtare profesioniste, që interpreton Live prej vitesh anembanë Evropës. Ndoshta dikush, duke parë fotot, mund të mendojë që ajo është një vajzë e bukur, e cila ka edhe zë të bukur, por e vërteta dhe rendi është ndryshe. Arinda ka studiuar kanto në Lice dhe më pas në Universitetin e Arteve, ajo është një këngëtare me zë shumë të bukur, që, për të mirën e saj, edhe pamjen e ka të tillë. Kësaj i shtohet edhe stili më pas, pasioni i madh për modën, për kombinimet e veshjeve, por edhe për fotografinë. Produkt janë fotot e saj që nuk dallojnë nga të modeleve profesioniste, të cilat i ka realizuar fillimisht me Renuar Locajn, e më pas, me Endrit Mërtirin… këto që po shihni të publikuara këtu.

Po kush është Arinda Gjoni? Nga vjen ajo? Sigurisht jo nga hiçi. Arinda ka lindur në Rrëshen, në një familje artistësh. I ati është pianist dhe lodrat e saj të fëmijërisë kanë qenë pianoja dhe mikrofoni. Shumë shpejt do kuptohej që ishte lindur për skenë. Në fillim, sigurisht, kishte vetëm atë hapësirën mes kolltukëve dhe divanëve  në shtëpi dhe aty shfaqte talentet e saj, që është pak vështirë t’i kategorizosh në një disiplinë të caktuar. Bënte akrobaci, gjimnastikë, kërcente, këndonte… Elasticitetin e ruan dhe sot, ashtu si zërin dhe çdo mëngjes, pasi zgjohet, nuk rri dot pa bërë ato ushtrimet e saj që i japin energji. Ndërsa sa për zërin, me një baba muzikant, nuk mund të ndodhte që talenti mos të kapej që në moshë të vogël. U vu shumë shpejt në qendër, jo vetëm të gëzimeve familjare, ku këndonte gjithmonë me qejf, por edhe në aktivitetet e shkollës apo ato të Pallatit të Kulturës të qytetit të saj.

Më pas familja u zhvendos në Tiranë dhe Arinda, kur erdhi koha, vendosi të shkojë në Lice, edhe pse nuk e kishte idenë më të vogël çfarë e priste atje. “Kam qenë një fëmijë shumë i lëvizur dhe energjik. I merrja gjërat lehtë. Më pëlqente të këndoja dhe vendosa të shkoj në Lice, por as nuk e dija që atje do mësoja kanto klasike. Kam shkuar e ngjirur në provim sepse një natë më parë kisha kënduar në një festë, por fitova, pasi më provuan zërin me disa këngë. Në veçori imja e spikatur është veshi muzikor dhe këtë sigurisht që pedagogët e vunë re. Madje edhe më pas, gjatë viteve të shkollës, unë një këngë e këndoja sapo e dëgjoja një herë, vetëm me vesh, pa e studiuar me nota, edhe pse kjo është e nevojshme, sidomos në opera. Aq sa profesoresha thoshte “Arindës do ia zëmë veshët me pambuk, që të mos e dëgjojë”. Ndërsa për pianon nuk kisha çfarë të bëja. Duhet të studiosh të paktën 4 orë në ditë për të qenë pianist i nivelit elementar dhe ishte sfidë e madhe për mua që nuk rrija dot në një vend”. Dhe sikur të mos mjaftonte zëri i ndërgjegjes, duhej edhe ai i i profesorëve që i kujtonin “epo vajza e pianistit, mos të ulet në piano!”, kështu që nuk kishte zgjidhje tjetër, duhet t’i disiplinonte energjitë gjatë orëve të studimit. Kështu ia doli Arinda të bëhej një këngëtare profesioniste, edhe pse kënga është pasioni i gjithë familjes, këndon motra e madhe, vëllai gjithashtu…vetëm më e vogla ka deklaruar që nuk ka ndër mend të merret me muzikë. Ndërkaq Arlinda dhe i ati kanë bandën e tyre, një orkestër të vogël me Arlindën këngëtare që jep koncerte në shumë shtete të Evropës.

“Kam dhjetë vjet që këndoj Live, mund të them që kemi shkuar në çdo cep të Evropës me koncerte, edhe pse jo të gjitha ato qytete kam pasur kohë t’i shikoj duke qenë që mund të ndodhë të shkojmë një pasdite, të japim koncertin, e të nesërmen të kthehemi sërish. Megjithatë mua më pëlqen të udhëtoj, përveç atyre orëve që jam në fluturim, për të mos folur pastaj për Live-in. Nuk e kam idenë çfarë më ndodh, por unë jap shpirtin në skenë. Duke pasur shpesh koncerte, një këngëtar duhet të dijë të kujdeset për zërin, ta mbrojë, të bëjë ndonjë falsetë herë pas herë, por unë e kam të pamundur. Unë harroj. Jap shpirtin aty dhe gjithë zërin, aq sa pas koncertit nuk flas dot më për nja dy-tri ditë”. Ja kështu është Arinda. Dhe i vë pikën në fund me një buzëqeshje, gjithashtu me gjithë shpirt, një nga ato buzëqeshjet që rrallë e shohim sot, në epokën e silikonit dhe perfeksionit fals që i bën të gjitha fytyrat njëlloj.

Ja që kaluam te pamja, dashur pa dashur, por për një artiste sigurisht që ajo ka rëndësinë e saj dhe aq më tepër, kur je para Arindës, ku nuk mund të qëndrosh indiferent. Sy ngjyrë smeraldi, linja të bukura fytyre, gropëza në faqe, buzëqeshje e ëmbël, elegancë dhe dinamizëm fizik, veshur me aq stil nga zgjedhjet e saj të modes, e bëjnë sigurisht një nga vajzat më të këndshme që mund të shohësh rreth e rrotull. Dhe për më tepër, është e gjitha natyrale. “Oh, e them me krenari, -zbulon ajo buzëqeshjen e bardhë të një fëmije ku dy dhëmbë lëvizin aq këndshëm nga rreshti,- jam bio. As flokët nuk i kam lyer ndonjëherë. Ndërsa në vetulla, para ca kohësh, kam hequr për herë të parë ca fije. Nuk mbaj dieta, nuk bëj palestër për të bërë muskuj, por më pëlqen të lëviz, të eci sa më shumë në natyrë. Natyrën e dua shumë…”

Ndoshta nuk gjen aq shumë natyrë në Tiranë, por Arinda nuk është nga ata tipa që ankohen. Ajo nuk përqendrohet te ajo që mungon, por te ajo që është. “Unë përshtatem kudo që të më hedhësh. Mundohem të gjej diçka të mirë kudo. Edhe te njerëzit”.

Ju thamë që kjo vajzë duket vërtet sikur vjen nga një vend i largët, më i mirë, më i lumtur. Por ja që e kemi këtu në fakt. Dhe shumë shpejt do e shohim në ekran. Dhe do e ndiejmë që ishte një vend bosh që priste për një këngëtare të talentuar, simpatike dhe origjinale, si ajo.