Rimi Beqiri tani ka një vend në kinemanë italiane. Me shpresën se shumë shpejt emri i tij do të përmendet edhe jashtë saj, Rimi vazhdon punën e palodhur drejt suksesit.

I larguar nga Shqipëria si shumë emigrantë të tjerë, për më shumë mundësi në shtetin fqinj, Rimi ka treguar në një intervistë për Revistën Class, se si ia ka dalë që sot të jetë protagonist i një filmi italian ku trajtohet historia e një shqiptari.

Ambicioz, i sigurt në vetvete dhe i vendosur, Rimi na rrëfen si ka ndryshuar jeta e tij, jo sa hap e mbyll sytë, por në sajë të një pune të vazhdueshme.

Një histori e denjë për një film edhe ajo e tij, edhe pse deri tani ka shërbyer thjesht si një element për t’iu shtuar personazheve e për të krijuar karaktere më të gjalla. Dhe nuk është pak!

Fillimet nuk kanë qenë të thjeshta për të. Ka kryer punë të ndryshme për të mbijetuar, fillimisht si elektriçist dhe më pas kamerier, magazinier, etj.. Derisa djaloshi që në Shqipëri, në “orët bosh” mbante gjallë klasën, bashkë me shokun e bankës, duke imituar aktorë të mëdhenj, vendosi të hyjë në një shkollë aktrimi. E nisi në Firence dhe më pas shkoi atje ku të çojnë të gjitha rrugët për të vazhduar Akademinë Ndërkombëtare të Aktrimit.

Ka interpretuar disa role, gjatë Akademisë dhe pas saj, për të arritur te më i rëndësishmi, roli i Altinit, në filmin “Altin in Citta”, ku protagonisti shqiptar interpretohet po nga një shqiptar, Rimi Beqiri. 

Beqiri tregon se personazhi i Altinit në film ka shumë ngjashmëri edhe me vetë atë në jetën reale.

Filmi do të shfaqet në kinematë italiane më datë 27 prill. Në këtë intervistë për Class-in, Rimi ka rrëfyer edhe projektet që ka në mendje në lidhje me Shqipërinë.

Ka folur edhe për  jetën sentimentale, për pasionet jashtë sheshxhirimit, për fëmijërinë në Shqipëri dhe ditët e angazhuara, pas kamerave, në Itali. Për të zbuluar më shumë rreth Rimi Beqirit, filmit të tij më të ri dhe projekteve të këtij aktori premtues, ju ftojmë të lexoni intervistën e tij të plotë.

Si ka qenë fëmijëria juaj?

-Fëmijeria ime ka qenë e thjeshtë si të gjithë fëmijët e tjerë, me shumë gjëra pozitive por edhe negative, ndonjëherë gjendesha para televizorit me vëllain tim duke parë Tomin dhe Xherrin, edhe ne ziheshim pastaj si Tomi dhe Xherri, nganjëherë duke parë ëndrra me sy hapur (qesh). Por tani që e mendoj mirë them se kam qenë pak i privilegjuar sepse kam pasur gjyshin nga ana babit që mbante anën time e më llastonte shumë. Shpeshherë më mbronte nga korrigjimet e prindërve të mi, kur ndonjëherë e meritoja një ashtu nga mbrapa (qesh). Fati im ishte sepse gjyshi jo vetëm që më mbronte, por më bënte dhe detyrat në shkollën fillore, pastaj në fundjavë më jepte dhe pagesën si djalë i mirë që isha. Domethënë kam qenë pak si llastuar (qesh).  Por tani që jam serioz them që këshillat e tij ishin me vlera të mëdha për mua se gjyshin tani nuk e kam më dhe çdo gjë ndryshoi për mua kur mbërrita në Itali. Sot jam i gëzuar akoma sepse kam familjen time të mrekullueshme në Tiranë që më mbështesin gjithmonë në rrugën time si aktor.

Keni ndonjë artist në familjen tuaj apo ju jeni i pari që keni pikasur?

-Jo nuk kam tjetër, por babi im (siç më ka treguar ai) kur ishte në shkollën e mesme frekuentonte pak teatrin, domethënë ishte pjesë e shtëpisë së pionerit në atë kohë dhe shpeshherë jepnin shfaqje të ndryshme, por vetëm kaq, nuk ka vazhduar më tej për ta zhvilluar si zanat pasionin për aktrimin.

Kujtojmë pak fazën kur u largove në Itali. Ka qenë e vështirë shkëputja? Me çfarë u more fillimisht?

-Po, fillimi për mua ka qenë i vështirë, sidomos përballja e moshës time 16-vjeçare i sapo arritur në një vend tjetër me tradita dhe kulturë ndryshe nga imja. Fillimisht u vendosa te daja në Firence, por në pamundësi për të punuar sepse isha akoma minoren, policia e Firences më dërgoi në kujdestari te një "Casa Famiglia" për të marrë dokumentet. Aty pastaj mësova një zanat si elektriçist dhe kur mbusha 18 vjeç fillova të punoj në një firmë. Por veç elektriçistit kam bërë dhe shumë punë të ndryshme si kamarier, barist, magazinier etj.

Cili ka qenë kontakti i parë me aktrimin?

-Ka qenë në bankën e shkollës kur isha i vogël, kur mungonte profesori në disa momente, unë bashkë me shokun tim, Indritin imitonim aktorët e famshëm të filmave, ose, kur nuk aktronim, bënim muzikë duke i rënë bankës për daulle (qesh). Pastaj rrugës kur ktheheshim po nga shkolla për në shtëpi bënim të njejtat imitime… kujtime të paharruara.

Na tregoni pak për shkollën e kinematografisë që keni kryer në Itali…

-Kam frekuentuar fillimisht "Shkollën e Kinemasë Indipendente" në Firence (2004), pastaj u transferova dhe vajta të jetoj në Romë, në 2008-ën nisa të studioj te "Akademia Internacionale e Teatrit" dhe në prill 2011 u diplomova si aktor dhe asistent regjisor për teatër.

Cili ka qenë roli yt i parë?

-Përveç filmave me metrazh të shkurtër të prodhuar nga "Shkolla e Kinemasë Indipendente", roli im i parë si aktor profesionist, por i vogël, ka qenë në një fiction të famshëm këtu në Romë "I Cesaroni 3", ku unë bëja rolin e një kamerieri. Pastaj më mbrapa erdhën dhe shume role tjera.

Mund të bëni një përmbledhje të këtyre roleve në teatër dhe në film?

-Fillimisht te ''Shkolla Nacionale e Kinemase Indipendente'' në Firence, kam marrë pjesë në disa filma me metrazh të shkurtër dhe të gjatë, të prodhuar nga e njëjta shkollë. Po në Firence fillova të ndjek një kurs tjetër teatri te “Teatro Tedavi 98”, ku kam marrë pjesë në shumë shfaqje humori e skeçe të ndryshme në Toskanë. Pastaj kam filluar të aktroj si profesionist në disa role të vogla te seritë televizive të famshme si “I Cesaroni 3” (2009), “Il Commissario Rex 7” (2013), “Un passo dal cielo 3” (2015). Jam pjesë në shumë produksione të filmave si: “Dov’è Sisifo” (2005), “The darkest Night” (2009) , “Reality Neës” (2014)  me regji të Salvatore Vitiello-s. Po në produksione të Indipendent, jam protagonist në filmin aksion  “Connections: segment HOBO” (2013) me regji të Daniele Misischia, më pas co-protagonist në dramën historike mbi jetën e poetes Vittoria Colonna “Festina lente” (2016) dhe regji të Lucilla Colonna. Filmi ka marrë vlerësime të ndryshme në festivale ndërkombëtare. Kam marrë pjesë në filmin dramatik “The Plastic Cardboard Sonata” (2015), me regji të Enrico Falcone dhe Piero Persello, njëherësh pjesë  disa festivaleve ndërkombëtare. Në Kosovë kam bashkëpunuar me aktorin e mirënjohur Halil Budakova dhe Çun Lajçi, në filmin “Virus: Extreme Contamination” (2016) me regji të Domiziano Cristopharo. Së shpejti ky prodhim pritet të dalë dhe në kinemanë shqiptare. Momentalisht po bën xhiro në Festivale Ndërkombëtare. Jam protagonist dhe në filmin dramatik “Altin in Città” (2017) me regji te Fabio del Greco.

Cili është roli yt më i rëndësishëm deri tani?

-Roli im më i rëndësishëm është ai i protagonistit në filmin "Altin in Città" për të cilin kemi dhe premierën më datë 27 prill.

Na tregoni pak për rolin e Altinit në filmin që do të shfaqet më 27 prill dhe subjektin e tij. Kush ju kontaktoi? Cilët janë realizuesit dhe si je ndier në këtë rol? Ke shtuar nga vetja në skenar?

-Filmi "Altin in Città" flet për një djalë shqiptar, shkrimtar i ri, i cili ka arritur i vogël në Itali në ‘91 me anijen e madhe, pa familjen e tij dhe tashmë është i integruar mirë. Ai ka ndërmend të shkruaj një libër që titullohet "Udhëtimi i Ismailit" i cili flet për jetën e tij dhe ka ndërmend të bëhet i famshëm me këtë libër. Në një talent shoë televiziv për shkrimtarë, ai përzgjidhet si fitimtar dhe i premtojnë që do i publikojnë librin, por nuk ndodh ashtu në të vërtetë. Ai bëhet pjesë e një zhgënjimi të madh, ku fati i keq e bën të njohë dëshpërimin, hakmarrjen, kompromisin, varfërinë. Personalisht mua më ka kontaktuar regjisori Fabio Del Greco, i cili ka këmbëngulur gjatë që ta bëja rolin e Altinit, sepse shumë gjëra nga jeta e tij ngjasojnë disi me eksperiencat e jetës sime këtu në Itali.

Çfarë projektesh të tjera vijnë pas këtij filmi?

-Tani jam duke u përgatitur për një rol tjetër, por më të vogël dhe do fillojmë xhirimet në fund të prillit në Verona. Aty do interpretoj ne anglisht dhe do jem një "agjent i Interpolit", por nuk mund të them më shumë se kaq.

Përveç aktrimit cilat janë pasionet e tua të tjera?

-Gjatë javës, kur nuk kam impenjime të shumta, shkoj shpeshherë në kinema për të parë filma të ndryshëm dhe për të mësuar nga aktoret të tjerë sa më shumë. Por megjithatë e lemë mënjanë pak kinemanë(qesh), më pëlqen dhe ushtroj si sport nganjëherë notin në pishinë, vrapoj në park gjatë fundjavës, kur mundem dhe kur kam kohë lexoj libra të ndryshëm historie dhe filozofie.

Po për sa i përket jetës personale, a është dikush në jetën tuaj për momentin?

-Jo nuk është askush për momentin, sepse nuk kam kohë të lirë për jetën personale (qesh).

Është duke të “prishur punë” karriera?

-Unë mendoj që në disa aspekte ndikon dhe këtë e them nga përvoja personale, sepse nuk i besoj shumicës se njerëzve kur thonë “unë arrij të jem perfekt gjithandej në karrierë dhe në jetën sentimentale”, për mua janë të paktë ata që arrijnë t’i bëjnë të gjitha. Sigurisht do ishte mirë t’i bënim të gjitha edhe të gjenim ''gjysmën tonë të munguar'' domethenë ''dashurinë'', dikë që të na kuptonte nga të gjitha anët, por nuk është aspak e lehtë sepse vajzat janë të vështira (bëj shaka).

Ndonjë plan që do të bashkojë me Shqipërinë?

-Tani për momentin jo, sepse jam i zënë me xhirimet këtu në Itali, por kam në mendje disa projekte për nëtë ardhmen në Shqipëri dhe herës tjetër do ju tregoj më shumë.