Uta Ibrahimi realizon ëndrrën e saj, ngjitet në majën më të lartë të botës, në Everes. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, saktësisht në orën 05:05 Uta Ibrahimi ka vendosur flamurin shqiptar dhe atë të Kosovës, në Everest.

Lajmin për mbërritjen e saj në majën më të lartë të botës, e ka bërë më dije kryetari i shoqatës së alpinistëve “Dajti Alpino Turistike”, Xhimi Begeja.

Në një postim në llogarinë e tij në “Facebook”, Begeja shkruan se Uta Ibrahimi rreth orës 05:05 të mëngjesit ka mposhtur majën e Everestit. “Miq e dashamirës, alpiniste e bjeshkatare të mbare Trevave Shqiptare, sot ne te gdhire te dt 22 maj 2017 ora 05:05, ajo (Uta Ibrahimi) e mposhti Everestin, ku sot ai mori jetën e 4 alpinisteve nga bota. Ajo nuk u tërhoq nga moti keq ,por e gjunjëzoi malin vrasës me mësymjen e dyte. Ajo për 15 min e ka Boten nen këmbët e saj”, -shkroi Begeja.

Everest është maja më e lartë në vargmalet e Himalajës dhe pika më e lartë mbi detare në botë. Ajo është e lartë 8.848 metra. Uta Ibrahimi u stërvit për rreth 2 muaj për të ngjitur malin Everest.